E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ: Pse nismat e Berishës janë jo ligjore

Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi argumenton nga ana ligjore dy nismat e kryeministrit

TIRANË- Partia e Bashkimit të Drejtave të Njeriut që përfaqësohet në qeveri me një post ministror nuk është dakord me asnjë prej nismave, që kryeministri Berisha shpalli pak ditë më parë, konkretisht për hetim ndërkombëtar dhe komision hetimor. Arsyeja ështëkrejtësisht ligjore. Asnjë prej nismave të Berishës nuk është e bazuar në ligj. Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi ka argumentuar dje se hetimi ndërkombëtar është i pa bazuar ligjërisht dhe nuk asnjë efekt ligjor. “Hetimet në Shqipëri bëhen nga një organ, që Kushtetuta e njeh si organin kompetent për të bërë ndjekjen penale. Çdo vendim i marrë nga organe të tjera jashtë prokurorisë, nuk ka asnjë karakter detyrues për Prokurorinë. Pra prokuroria nuk mundet të zbatojë një vendim të qeverisë, apo një akt tjetër për të bërë një hetim të ashtuquajtur ndërkombëtar, por është prokuroria që vendos nëse do të kërkojë ndihmë, (jo hetim ndërkombëtar) nga specialistë të huaj. Pra sigurimii ndihmës nga specialistë të huaj nuk ka të bëjë fare me një hetim ndërkombëtar”, - tha Peçi. Si ish-Ministër i Drejtësisë, por edhe Avokat i Shtetit, Peçi theksoi se koncepti i hetimit ndërkombëtar nuk është një koncept proçedurial ligjor dhe asnjë organ, madje as ai i ndjekjes penale, nuk mund të kërkojë për të kryer një hetim ndërkombëtar nga të tjerët brenda juridiksionit, që ka vet ky organ kompetent, që në këtë rast është vet prokuroria. “Pra e thënë ndryshe edhe prokuroria vet nuk mund të kërkojë hetim ndërkombëtar. Çdo veprim proçedurial i kryer nga të huajt nuk ka asnjë vlerë për gjykatat tona dhe nuk njihet nga Kodi i Procedurave Penale”,- tha ai

Komisioni hetimor

Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, e cilëson tejet absurde komisionin e paralajmëruar nga Berisha, mbi hetimin e marrëdhënieve mes dy ministrive dhe organit të akuzës. “Efektivisht marrëdhëniet e këtyre dy institucioneve janë të rregulluara me ligj dhe komisioni hetimor parlamentar nuk ka çfarë të hetojë, nuk ka çfarë të zbulojë, nuk ka kujt ti rekomandojë dhe kujt ti kërkojë marrje masash pas një hetimi të tillë. Në legjislacionin tonë janë përcaktuar kompetencat si të Prokurorisë ashtu edhe të Ministrisë së Drejtësisë. Në kompetencat që i jep ligji, Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të ushtrojë kontrolle apo inspektime vetëm për çështje të arkivuara, pra për çështje që është vendosur nga organi i Prokurorisë pushimi i tyre apo pezullimi i tyre. Nuk ka asnjë kompetencë tjetër ndaj organit të Prokurorisë dhe jo vetëm kaq, por këto hetime kanë karakter informues dhe rekomandues që ministri i Drejtësisë i bën Prokurorit të Përgjithshëm dhe është Prokurori i Përgjithshëm, ai që vendos nëse do të marrë në konsideratë rekomandimet që bën ministri i Drejtësisë apo ti refuzojë këto. Është vetëm gjykata e cila çmon ligjshmërinë e veprimeve dhe vendimeve që ka marrë prokuroria dhe jo ekzekutivi”, - tha Peçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›