E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Berisha është në konflikt të hapur interesi me pushtetin”



Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka akuzuar dje në Kuvend kryeministrin Berisha se është përfshirë në konflikt interesi me pushtetin. Për këtë Braçe ka publikuar në seancë të dhëna nga uebsajti i kompanisë “Best Property Albania”. Deklarata e Braçes në seancë ka sjellë reagimin e deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferaj, i cili i ka cilësuar gënjeshtra të dhënat e tij. Sipas Xhaferajt, kompania e huaj ka vepruar sipas ligjeve shqiptare për të investuar në vendin tonë.
Sipas Braçes, në muajin janar të këtij viti është regjistruar në Tiranë një biznes me emrin “Best Property Albania”. Aktiviteti i kësaj kompanie përfshihet kryesisht në shitblerje pronash, tokash, konsulencë për bizneset private që duan të investojnë në Shqipëri. Kjo kompani, thekson deputeti i PS-së, arrin në mënyrë të shpejtë dhe të pabesueshme që të hyjë fuqishëm në treg duke lajmëruar për shitje marramendëse sipërfaqe tokash në bregdet dhe për pjesën më të bukur të Shqipërisë, bregun e Jugut të vendit. Braçe, duke iu referuar faqes 14 në uebit të kësaj kompanie, citon katër njoftime për shitblerje tokash. Njoftimi i parë bën fjalë për një tokë në Gjirin e Lalzit, me sipërfaqe 2.4 milionë metra katrorë tokë, e vlefshme dhe ekskluzive për Best Property, me certifikatë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. “Tre raste të tjera në bregun e Jugut të vendit, në Ksamil, rasti i parë 970 000 m2, rasti i dytë 29 500 m2, rasti i tretë 15 000 metra katrorë dhe këtu thuhet e vlefshme dhe ekskluzive për Best Property me certifikatë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë”, - ka cituar Braçe.
Kërkesa
Në përfundim të denoncimit Braçe kërkoi edhe në emër të deputetëve të tjerë të PS-së një interpelancë me kryeministrin Berisha për këtë çështje. Ai u shpreh se ky është një rast flagrant i konfliktit të interesit dhe vjen në një moment kur dhëndri i kryeministrit u emërua drejtor i menaxhimit të bregdetit të Jugut të vendit. Sipas Braçes, edhe kryeministri Berisha së fundi ka ndërmarrë një fushatë shkarkimesh të drejtorëve të Agjencisë së Kthimit të Pronave dhe të 3 kryeregjistruesve të Zyrës së Regjistrimit të Pronave. Po kështu Braçe denoncoi dhe tre ligjet e sjella në Kuvend nga qeveria për çështjen e pronësisë mbi tokën. “Kryeministri ka urdhëruar fushata të marrjes së tokave në përdorim fshatarëve që i kanë përfituar ato në bazë të ligjit në bregdetin e Jugut të vendit. Kryeministri ka sjellë në Kuvend një ligj për verifikimin nga e para deri tek e fundit për titujt e pronësisë me qëllim pamjen e këtyre tokave apo nëpërmjet grabitjes së tokës së fituar ligjërisht në rastin më të keq. Nisur nga sa më sipër, në emër të 7 deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kërkojmë që kryeministri të vijë në interpelancë urgjente për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje dhe natyrisht edhe lidhur me konfliktin e interesave të familjes së tij”, - është shprehur Braçe.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›