E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i spiunëve, Kuvendi oshtin nga pseudonimet e deputetëve

Topalli siguron miratimin e ligjit për të mos lejuar spiunë në shtet

Eljona Ballhysa
Hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist ka shkaktuar debate dhe tensionim gjatë seancës së djeshme parlamentare. Duket se kjo çështje, megjithëse kanë kaluar rreth 17 vjet nga rrëzimi i komunizmit, vazhdon të jetë ende e nxehtë për politikanët shqiptarë. Këta të fundit nuk kanë hezituar të nxjerrin në media, por dhe në seancën e djeshme parlamentare, pseudonimet e njëri-tjetrit. Ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka akuzuar dje në seancë kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për bllokimin për tre vjet të shqyrtimit të tre projektligjeve për “spiunët”. Ai madje nuk ka hezituar t’i drejtojë asaj një pyetje të drejtpërdrejtë: ç’lidhje ka me dosjen “Dizenjatorja”?
Akuza
Balla u shpreh se Topalli i ka bllokuar qëllimisht projektligjet për t’i përdoruar ato si mjete të presionit politik. “Çfarë ka ndodhur me ty, zonja kryetare, që fundjavën e kaluar, papritmas u kujtove se në sirtarët e Kuvendit ishin pluhurosur 3 projektligje, të cilat me urdhrin tënd nuk lejoheshin të hynin në shqyrtim? Zonja kryetare, ju duhet të na thoni se pse i keni vonuar këto 3 projektligje? Ky ligj në këto 17 vjet është përdorur si mjet presioni. Të lutem, më hiq një merak mua dhe disa gazetarëve që kanë publikuar lista pseudonimesh. Çfarë lidhje ka dosja ‘Dizenjatorja’ me ju”? - është shprehur gjatë fjalës së tij në Kuvend deputeti socialist Taulant Balla. Më tej ai u shpreh se miratimi i ligjit për spiunët është detyrim për vendin tonë, pasi ka miratuar rezolutën e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. Balla gjithashtu kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të deklarojë spiunët që ndodhen aktualisht në qeveri dhe në Presidencë. “Meqenëse ju keni deklaruar që të largohen spiunët nga Presidenca dhe qeveria, dhe sigurisht duke qenë se ti je bërë tashmë eksperte hetimesh për këdo në Shqipëri, gjyqtare, prokurore, president, deputete, na thuaj edhe ne kush janë spiunët në qeveri dhe Presidencë? Ky është dhe do të mbetet një nga sulmet më të paprecedentë që një kryetare e Kuvendit ndërmerr ndaj qeverisë dhe ndaj presidentit të vet si ish-nënkryetar i partisë. Kini kujdes se mos rrëzoni qeverinë dhe presidentin tuaj”, - është shprehur Balla.
Reagimi
Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e siguruar Ballën se projektligjet do të miratohen në Kuvend, është shprehur se ato nuk kanë qenë të bllokuara, përkundrazi, kanë qenë në Komisionin e Ligjeve. Ajo tha se opozita gjithmonë e ka trajtuar pa seriozitet këtë çështje, por e ka përdorur atë për të shpifur. Ndaj, sipas Topallit, miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve do t’i mbyllë gojën njëherë e mirë shpifësve. “Meqenëse ju asnjëherë s’e keni marrë seriozisht, por jeni përpjekur të abuzoni dhe të shpifni, dhe kjo është një nga nismat që ky Kuvend ndërmerr për t’u mbyllur gojën atyre që shpifin. Dhe ndoshta do të ishte më mirë që përpara se të shpifni, të shikoni dhe brenda familjes tuaj, me motrat, me vëllezërit, me nënat etj., dhe në këtë mënyrë të jeni korrektë me veten, me ndërgjegjen, me moralin shoqëror”, - është shprehur Topalli, e cila kërkoi nga Komisioni i Ligjeve të punojë intensivisht për këtë ligj që të miratohet në seancë brenda muajit korrik.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›