Braçe: Berisha fshehu vdekjen e baxhanakut në Gërdec
Partia më e madhe e opozitës i është kundërvënë dje sërish Kryeministrit, për sa i takon çështjes së Gërdecit. Nënkryetari i grupit parlamentar vlerësoi se Sali Berisha, qeveria e tij, deputetët e tij, të përfshirë në vrasje, donin të varrosnin këtë krim që ditën e parë që ndodhi. Kjo është në vëmendjen e kujtdo shqiptari të ndershëm. "Kryeministri, qeveria e tij, ngatërruan shkronjat në daljen e tyre të parë publike, për të fshehur vdekjen e baxhanakut të tij në Gërdec", akuzoi Braçe. Ndërsa i shprehu ngushëllime Kryeministrit dhe familjes së tij, numri dy i deputetëve socialistë insistoi se vdekjen e një njeriu mund ta mbajnë sekret vetëm diktaturat më mizore dhe shpellat e Al Kapones. "Ai nuk vdiq në Korenë e Veriut, por vdiq 15 km larg Tiranës. Vdekja mister e tij mban ende të pazbardhur misterin e 25 vdekjeve të tjera, por edhe misterin e implikimit familjar të Sali Berishës në krimin e Gërdecit", theksoi Braçe. Ai siguroi se deputetët e Partisë Socialiste nuk mund të lejojnë kurrë që kjo çështje të mbyllet pa ndëshkuar deri në përgjegjësin e fundit për vrasjen e 26 shqiptarëve në Gërdec. "Nuk do të ketë Parlament, nuk do të ketë prokuror apo gjykatës, që të shpëtojë vrasësit nga ndëshkimi. Sikur 100 vjet të duhen për të arritur drejtësinë, në emër të atyre që vdiqën në Gërdec, të foshnjës në bark të nënës, kjo kohë do të mbushet çdo minutë me përpjekje ligjore për të ndëshkuar krimin makabër të qeverisë së Sali Berishës", premtoi Braçe. Sipas tij, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shkoi më larg, duke treguar 100 mijë dollarët të paguar për shpenzime varrimi, si krenari të qeverisë së Sali Berishës, më të korruptuar në Evropë. "Kjo tregon natyrën barbare të qeverisë së Sali Berishës, që pasi të vret në mënyrën më mizore, të kujton paratë e varrimit, si tregues të efektivitetit të qeverisjes së saj", vijoi Braçe. Opozita, shtoi ai, e identifikoi këtë sjellje barbare qysh kur Kryeministri Sali Berisha i vuri çmimin 2 milionë lekë jetës së çdo individi që vrau në Gërdec. Pikërisht për këtë arsye, argumentoi Braçe, dhe çështja e dëmshpërblimit në Gërdec nuk do të mbyllet, deri kur i dëmtuari i fundit të marrë qindarkën e fundit për dëmin e pronës së tij, të cilin ai e vlerëson vetë. PS kujton se ka paraqitur në Kuvend këtë projektligj, ku Sali Berisha po e pengon miratimin e tij në Kuvend. Deputeti i Gërdecit, tha Braçe, e quajti qesharake këtë iniciativë ligjore, që synon t‘ju japë 4000 të dëmtuarve në Gërdec dëmshpërblim në masën 100% të të gjitha pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, të dëmtuara plotësisht, si dhe në masën 100% për ato pasuri që kanë humbur vlerën e përdorimit dhe mund të rehabilitohen.