Oketa: Gërdeci, i rrezikshëm
Ministri Oketa ishte i pranishëm në tryezën me nivel të lartë me donatorët mbi prioritetet për rindërtimin e Gërdecit, duke paraqitur zonën, e cila cilësohet si më e rrezikshmja në Gërdec. Sipas ministrit Oketa, "vatra e zjarrit ku ndodhi tragjedia e 15 marsit të këtij viti vazhdon të mbetet një zonë që paraqet rrezikshmëri të lartë për banorët". Edhe pse kanë plasur shumë municione, në vatrën e shpërthimit ekzistojnë ende lëndë të cilat nuk kanë plasur. Sipas tij, pamjet që disponon deri tani Ministria e Mbrojtjes përcaktojnë kufirin e zonës që i është nënshtruar totalisht një kontrolli të imtësishëm nga ana e Forcave tona të Armatosura. Në një takim mes donatorëve dhe përfaqësuesve të qeverisë, Gazmend Oketa tha se ende nuk ka mbaruar pastrimi nga predhat pranë kraterit të shpërthimit. Ndihmat e donatorëve të huaj në Gërdec dhe në fshatrat përreth do të jenë në rindërtimin e shtëpive, shkollave dhe institucioneve shëndetësore.