E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Berisha gënjeu për vdekjen e Trebickës”



Shaban Sulçe
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cilësoi gënjeshtra deklarimet e kryeministrit Berisha në seancën e djeshme parlamentare në lidhje me vdekjen e Kosta Trebikcës. “Kryeministri gënjeu duke e quajtur Trebickën qytetar të ndershëm. Gjashtë muaj më parë ai e quajti mafioz. Berisha gënjeu edhe kur deklaroi se ka prishur kontratën me Diverolin dhe se ka ndaluar aferën e armëve”, - deklaroi Braçe. Ai theksoi se Partia Socialiste mbështet Prokurorinë në zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit dhe të aferës së tregtisë së armëve ndërsa akuzoi si të implikuar në këtë çështje disa ministra të kabinetit qeveritar.
“Partia Socialiste mbështet Prokurorinë në punën e saj për të zbardhur të vërtetën e Gërdecit. Nuk do të lejojmë ndërhyrjen në hetime nga Kuvendi. Kjo aferë, siç edhe u tha në Kongresin Amerikan, do të tronditë rëndë qeverinë, sepse nuk ka qenë vetëm një ministër i saj i përfshirë në këtë aferë korruptive”, - tha Braçe. Deklaratat e Braçes pasojnë sulmin e deputetëve të opozitës ndaj kryeministrit Berisha në seancën e djeshme parlamentare. Ata e cilësojnë kreun e qeverisë si përgjegjës për vdekjen e dëshmitarit kyç të tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së tha se Berisha tashmë e ka pranuar që qeveria e tij është e implikuar në trafikun e armëve. "Vetëm një ditë më parë, shefi i qeverisë pranoi se ka ekzistuar një aferë armësh. Prokuroria duhet ta çojë deri në fund çështjen që lidhet me Gërdecin", - u shpreh Brace.
Deklarata e Berishës
Ndryshe nga sa deklaroi më 19 mars të 2008-s, kur Kosta Trebickën e cilësoi si mafioz tipik, në seancën e djeshme kryeministri Berisha e cilësoi si njeri që dha kontribut real në zbardhjen e një afere. “Dëshmitë e Trebickës kanë qenë të vërteta dhe me kontribut të madh në hetimet e Gërdecit. Ndoshta e kisha takuar, s’mbaj mend, njihja anëtarë të tjerë të familjes, ai ka dhënë kontribut real në zbardhjen e një afere. Ajo që thoshte ai ishte një e vërtetë e padiskutueshme, - tha dy ditë më parë kreu i qeverisë.
Akuzat
Kryeministri Berisha është akuzuar si përgjegjës për vdekjen e Trebickës edhe nga deputeti i djathtë, Spartak Ngjela. Gjatë seancës parlamentare të dy ditëve më parë, Ngjela tha se vdekja e Trebickës vetëm aksident nuk mund të quhej. “Nuk është aksident ky. Ju garantoj nga ana profesionale. Është vrasje, dhe prisni se kjo është e para”. Duke iu referuar vdekjes së dëshmitarit kyç për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka, Ngjela u shpreh se përgjegjësi për këtë mban vetëm kryeministri Sali Berisha. Madje, me një ton të ashpër, ai i bëri thirrje politikës shqiptare që të bashkohet dhe të shkarkojë kryeministrin Berisha, të cilin ai e cilësoi diktatorin e radhës të Shqipërisë.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›