Rama rinis turin “Dialog me Shqipërinë”
“Rruga e ideve për të ardhmen”. Kështu quhet faza e dytë e “Dialog me Shqipërinë”, nisma përmes së cilës Partia Socialiste e Shqipërisë ka vendosur të ndërtojë programin e ri qeverisës. “Rruga e ideve për të ardhmen” ka startuar në qytetin e Shkodrës, në një takim të zhvilluar me arsimtarë dhe pedagogë në këtë qytet. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh se Partia Socialiste është e vendosur për të reformuar thellësisht sistemin arsimor në Shqipëri. “Shqipëria e sotme nuk është garante e të drejtës se çdo fëmije për ta marrë arsimimin dhe edukimin e nevojshëm. Analfabetizmi në Shqipëri zyrtarisht ka prekur 10 për qind të popullatës. Në këto shifra flitet thjesht dhe vetëm me përkufizimin se analfabet është ai që nuk di shkrim e këndim, ndërkohë që sot koncepti analfabetizëm është në të gjitha rastet, ku shkrimi dhe këndimi i njeriut është i papërdorshëm në ekzigjencën e tij në raport me jetën dhe punën. E në këtë kuptim, analfabetizmi i quajtur funksional në Shqipëri është disa herë më i lartë se 10 për qind”, - tha Rama.
17 Shtator 2008