Opozita debaton me Alibeajn për administratën gjyqësore: Qeveria rrit kontrollin
Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve kanë debatuar dje për projektligjin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë “Për administratën gjyqësore”. Deputetët e opozitës e kanë cilësuar ligjin si një përpjekje tjetër të qeverisë për të kontrolluar institucionet e pavarura. Kështu, deputeti Majko, gjatë pyetjes që i ka drejtuar ministrit të Drejtësisë, është shprehur se ekziston një përplasje midis administratës gjyqësore, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Por kjo është hedhur poshtë nga Alibeaj, i cili e ka mohuar kategorikisht ekzistencën e një përplasjeje të tillë. Më pas debati është përqendruar në mënyrën e emërimin të kancelarit të administratës, i cili pavarësisht se fiton statusin e nëpunësit civil, sipas deputetëve të opozitës, në ligj parashikohet që të emërohet dhe të shkarkohet nga ministri. Opozitarët e kanë cilësuar këtë një kontroll politik që përpiqet të përcaktohet nga qeveria. Alibeaj, duke kundërshtuar këtë pretendim të opozitës, u ka kujtuar atyre se kjo dispozitë rrjedh nga ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor, i cili është miratuar me konsensusin e palëve dhe opozita në atë kohë ka rënë dakord që kancelari i gjykatës, që është drejtuesi i administratës gjyqësore, të emërohet nga ministri i Drejtësisë. Alibeaj gjithashtu ka theksuar se projektligji parashikon krijimin e një administrate gjyqësore apolitike. Ai është shprehur se pavarësisht se kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri, ai nuk do të ketë parasysh në punën e tij se cilës parti i përket, por do të zbatojë ligjin. “Projekti përcakton statusin e një kategorie që ka një rol shumë të rëndësishëm brenda sistemit gjyqësor. Risia që ka sjellë projektligji është krijimi i një administrate apolitike, efikase dhe profesionale. Së shpejti administrata gjyqësore do të përfitojë një dyfishim të pagës, e cila do të përfshihet në buxhetin e vitit 2009. Kostoja e këtij trajtimi do të përballohet nga qeveria”,- është shprehur Alibeaj. Ai gjithashtu theksoi se ky projekt është asistuar dhe nga misioni “EURALIUS” dhe nga Këshilli i Europës. Deputetët e opozitës kërkuan në komision që ky ligj të miratohet në Kuvend me 3/5 e votave, që nënkupton bashkëpunimin medoemos me Partinë Socialiste. Por relatori i PD-së, Eris Hoxha, u shpreh se ky draft nuk duhet të miratohet me 3/5-tat, por me shumicë të thjeshtë. Ndërsa ministri Alibeaj, pa dhënë një përgjigje direkte, kërkoi nga politika që të arrijë konsensus në miratimin e këtij projekti. Anëtarët e komisionit ranë dakord që në mbledhjen e ardhshme të jenë të pranishëm përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve, juristë dhe grupe të tjera të interesit, të cilët do të marrin pjesë në diskutimin e mëtejshëm të këtij projekti.
Eljona Ballhysa
17 Shtator 2008