E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha po lë shqiptarët pa viza

Nënkryetari i grupit socialist ka komentuar dje raportin e KE-së për vizat, si një dështim të qeverisë së Sali Berishës


TIRANË- Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, ka fajësuar Kryeministrin Berisha për raportin negativ të KE-së, i cili pritet që të frenojë liberalizimin e vizave për shqiptarët.


Ai ka akuzuar Kryeministrin se ka prerë në mes ëndrrën e shqiptarëve për të udhëtuar të lirë drejt Perëndimit. "Janë mijëra shqiptarë, apo qindra mijëra shqiptarë, që përgjatë gjithë kësaj periudhe 19-vjeçare janë munduar të ndërtojnë një jetë më të mirë, se sa ajo që politika u ka ofruar në Shqipëri. Një jetë më të mirë se sa ajo që shumë vende të tjera edhe të rajonit, kanë kaluar.


Pra, një jetë më të mirë që lidhet me ekonominë e tyre, lidhet me familjen e tyre, lidhet me arsimimin e fëmijëve të tyre, lidhet me lëvizjen e lirë të tyre. Pikërisht për 19 vite, kjo ëndërr shqiptarëve u është mohuar.


Për fat të mirë, të gjitha vendet e Bashkimit Europian, që përfaqësohen me selitë e tyre diplomatike këtu, i kanë dhënë një shans Shqipërisë dhe shqiptarëve, u kanë dhënë një sërë detyrimesh që qeveritë e Republikës së Shqipërisë duhet t'i përmbushnin gjatë gjithë kësaj periudhe",- tha Braçe.


Sipas tij, raporti i dy ditëve më parë tregon se qeveria e Sali Berishës po e mohon këtë shans që vendet e Bashkimit Europian, ua kanë ofruar shqiptarëve.


"Për fat të keq, midis shqiptarëve dhe djalit të tij, midis shqiptarëve dhe djalit të tij politik, Sali Berisha zgjodhi interesat e djalit të tij biologjik dhe të djalit të tij politik.


Në krye të të gjithë vlerësimeve që dje dhe sot mbërritën në Shqipëri nga Komisioni i Bashkimit Europian, është çështja, mbi të gjitha, e pavarësisë së gjyqësorit, e cenuar rëndë pikërisht për interesa personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij të përfshirë në korrupsion, interesave personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij politik, të përfshirë po prapë në korrupsion",- tha Braçe.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›