Sherr me thika mes dy kunatave
FIER/ Adelina Arapi u plagos nga motra e burrit pas një sherri që vazhdonte prej kohësh mes dy grave
Respekti për prindërit duket se ka qenë akuza që i është bërë nuses së shtëpisë e cila përfundoi në spital
FIER - Përfundon me një të plagosur sherri i vazhdueshëm mes dy kunatave në qytetin e Fierit. Mesditën e djeshme, Adelina Arapi është dërguar me urgjencë në spital pasi kishte marrë një plagë me thikë në brinjën e majtë nga motra e burrit të saj, pas një debati të bërë në shtëpinë e viktimës.
Burime të policisë shprehen se kanë ndaluar autoren, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, bluzat e bardha thonë se e plagosura është jashtë rrezikut për jetën, pasi plaga e marrë nuk ka qenë shumë e thellë.
Ngjarja
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen "16 prilli" të Fierit, në banesën e shtetasit A.Alushaj. Rreth orës 10:00, në këtë familje ka nisur një debat për motive të dobëta mes Dallandyshe Hamzarajt, si dhe kunatës së saj, Adelina Arapi.
Mosmarrëveshjet, që siç duket e kishin zanafillën më herët, paraditen e djeshme kanë arritur kulmin, duke kaluar në fyerje të ndërsjellta. Mosrespekti ndaj prindërve duket se ka qenë një nga gjërat për të cilën Dallandyshja e ka akuzuar nusen e vëllait të saj, Adelinën.
Por kjo e fundit, teksa ka dëgjuar fyerjet e së kunatës, duke shprehur revoltën e saj ka bërë gati rrobat e veta dhe ka njoftuar prindërit e saj që të vinin e ta merrnin.
Ka qenë pikërisht ky moment ku të dyja gratë kanë qenë tepër të acaruara, koha në të cilën Dallandyshja ka marrë një thikë që ka gjetur mbi tavolinë dhe ka goditur me të Adelinën. Goditja e ka kapur 24-vjeçaren në brinjën e majtë. Në momentin që ka parë gjakun, kunata e saj është frikësuar dhe ka thirrur një të afërm.
E plagosura është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit ku i është nënshtruar një operacioni. Pas ndërhyrjes kirurgjikale bluzat e bardha u shprehën se gruaja e re ishte jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet
Pasi ka marrë njoftim për ngjarjen, policia ka shoqëruar në komisariat autoren e plagosjes, Dallandyshe Hamzaraj.
Përpara oficerëve të policisë gjyqësore, gruaja është shprehur se gjithçka ka rrjedhur si pasojë e një debati e megjithatë ajo ka mohuar dëshirën për ta vrarë kunatën e saj, duke deklaruar se në momentin e marrjes së thikës, thjesht kishte dashur ta trembte nusen e vëllait.
Bëhet e ditur se edhe e plagosura është marrë në pyetje pas daljes nga gjendja e rrezikut, ndërsa ka dhënë shpjegimet lidhur me ngjarjen e ndodhur. Ndaj Hamzarajt është ngritur akuza e "plagosjes së rëndë me dashje".