"Shkrihen" strukturat e policisë së kryeqytetit
Disa nga zyrat e hetimit janë riorganizuar për shkak të mungesës së efikasitetit të punës tyre dhe rritjes së krimit që duhej të godisnin
Ndryshimi i strukturës, transferon edhe specialistët dhe hetuesit që punonin për zyrat përkatëse
TIRANË - Pak më tepër se një vit nga ndryshimi rrënjësor i strukturës së Policisë së Shtetit dhe të Policisë së kryeqytetit, struktura e njësisë më të madhe lokale në vend, është detyruar të ndryshojë mënyrën e funksionimit të saj, duke kthyer disa prej veprave penale në juridiksionin e komisariateve për trajtim. Prej disa ditësh, struktura e rimodeluar ka hyrë në funksion, duke shkrirë disa seksione dhe duke i bashkangjitur ata pranë komisariateve.
Një fakt i tillë është pohuar dje për "Shekullin", nga krerë të lartë të policisë së kryeqytetit.
Një veprim i tillë mësohet se është kryer me qëllim, rritjen e angazhimit të komisariateve dinamikën dhe goditjen e krimit. Në këtë mënyrë, rreth 40 oficerë, dhe shumë efektivë të tjerë, kanë ndryshuar edhe vendet e tyre të punës.
Numri i lartë i vjedhjeve në Tiranë regjistruar nga janari deri në muajin mars, detyroi krerët e drejtorisë më të madhe të policisë në vend që të riorganizojnë Seksionin e Hetimit të Vjedhjeve, vjedhjeve të bizensit dhe të vjedhjes së automjeteve. Po kështu nën juridikisionin e komisariateve është deleguar si detyrë edhe hetimi i krimit të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe me lëndë plasëse.
Një zyrë për këto probleme tashmë është pjesë e të gjitha komisariateve në Qarkun e Tiranës. Zyra e krimeve ndaj pasurisë dhe vjedhjeve të tjera është shpërndarë nëpër komisariatet që janë nën juridiksionin e Policisë së Qarkut Tiranë, duke krijuar në çdo komisariat një zyrë të veçantë për hetimin e kësaj vepre penale.
Në këtë mënyrë, janë transferuar edhe drejtuesit e këtyre seksioneve në komisariate të ndryshme. Kështu, shefi i zyrës së vjedhjes së automjeteve, është transferuar në komisariatin nr.2, në pozicionin e kryehetuesit të krimeve.
Shefi i zyrës së Hetimit të Vjedhjeve me Armë, Ervin Dalipaj, është transferuar në komisariatin e Policisë nr.4, në hetimin e krimeve të vjedhjeve, ndërsa në vendin e tij është komanduar përkohësisht Benet Koka, që mendohet se do të emërohet në krye të këtij seksioni me qëllim forcimin e punës së këtij seksioni.
Gjatë hetimit të vjedhjeve ndaj biznesit kjo zyrë njohu një rritje të zbulueshmërisë së saj, duke iu afruar zyrave me zbulueshmëri të mirë.
Shefi i hetimit të vjedhjes së automjeteve, është transferuar në komisariatin nr.2, ndërsa në komisariatin nr.3, ai i hetimit të vjedhjes së banesave. Një rimodelim i strukturës vjen pas një situatë që është prezent muajt e fundit në kryeqytet, por dhe jashtë tij ku numri i vjedhjeve ka njohur një tendencë rritëse.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e kryeqytetit, numri i vjedhjeve që kallëzohen nga qytetarët shkon mbi 10 kallëzime në ditë e marrë kjo mesatarisht, pa llogaritur krimet që nuk kallëzohen.
Në Tiranë sipas Policisë, janë disa zona që janë më problematike dhe ku regjistrohen vjedhjet më të shumta, ndërsa ka elementë të ndryshëm me precedentë penalë që ndiqen në mënyrë të vazhdueshme prej tyre.
Ndërkaq, strukturat e tjera në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nuk kanë ndryshuar, por me ndryshimin e strukturave të tjera shumë prej oficerëve hetuesve dhe agjentëve kanë ndryshuar vendet e tyre të punës.