Braçe: “Berisha po pengon Drejtësinë, ligjin e dosjeve do ta ankimojmë në Kushtetuese
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha jo vetëm si shkaktar të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 shqiptarë, por edhe si njeriu që po shfrytëzon çdo pushtet për të penguar vendosjen e Drejtësisë. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, tha se kryeministri Berisha bëri gjithçka për të shpëtuar familjarë të tij biologjikë, familjarë të tij politikë, klientë të rinj e të vjetër nga ndëshkimi i drejtësisë. “Ndaj 10 muaj larg nga kjo masakër, dua të denoncoj: Sali Berisha ka punuar çdo ditë në këto 300 ditë për të penguar hetimin. Ai ka punuar çdo ditë në këto 300 ditë me aparatin e tij legjislativ e administrativ, për të dhunuar brutalisht prokuror e gjykatës në gjurmim e gjykim të kësaj vrasjeje. Sali Berisha ka punuar çdo ditë në këto 300 ditë për të hartuar ligje që largojnë nga drejtësia, tamam prokurorë e gjykatës që po hetojnë e gjykojnë këtë krim. Sali Berisha ka punuar çdo ditë në këto 300 ditë, që me anë të ligjit, vendimeve në Kuvend apo Ministrinë e Drejtësisë, të zgjedhë, të caktojë prokurorë e gjykatës që duhet të binden e të shpallin të drejtë e ligjor sistemin e tij ekonomik e kriminal, që shpërtheu e vrau njerëz të mirë në Gërdec”, - tha Braçe, i cili shtoi se PS-ja do të depozitojë menjëherë ankimimin e saj ndaj ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese.
16 Janar 2009