“Gërdeci”, nga plasja e municioneve deri te shpërthimi i skandalit
Tiranë - Mesdita e 15 marsit të vitit të kaluar do të ishte kufiri që do të ndante përgjithnjë qeverinë “Berisha” me besueshmërinë dhe “duart e pastra”. Rreth orës 12:30 ka ndodhur shpërthimi në një fabrikë private municioni gjatë punës për asgjësim municionesh. Shpërthimi është dëgjuar si në Tiranë, ashtu dhe në Durrës. Rreth 30 minuta pas shpërthimit, kryeministri Berisha lë takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Maqedonisë Mendu Thaçi dhe del para medias duke bërë publike se gjendja në Gërdec është tejet e rëndë. Kjo do të ishte dhe dalja e fundit “normale” për kryeministrin pasi të gjitha daljet e tjera, pa përjashtim, do ta vinin atë në pozita tejet të rënduara të një zyrtari të lartë “nën akuzë” në sytë e opinionit publik. Të nesërmen e shpërthimit, në media u hodhën disa dyshime të rënda lidhur me fabrikën ku kishte ndodhur shpërthimi. Së pari ishte bërja publike e një ligji të iniciuar nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili para këtij ligji kishte hartuar një tjetër variant që dukshëm kalonte thuajse të gjitha armatimet shqiptare në duar të pasigurta. Ndërkohë, nga ana tjetër, u zbulua se fabrikën e kishin në pronësi dy firma, njëra amerikane dhe tjetra shqiptare, të mbledhura në siglën “Albademil”. Për ironi u zbulua se firma amerikane bënte demontimin e armëve me kalibër të vogël, ndërsa, ndryshe nga sa pretenduan autoritetet, punën në terren e kryenin shqiptarë, madje gra dhe fëmijë dhe jo punonjës të specializuar amerikanë.
Berisha
Tri ditët që pasuan tragjedinë, kryeministri Berisha mbajti konferenca konstante për shtyp, ndërsa ishte i detyruar të “përgënjeshtronte” në mënyrë të përsëritur veten pasi, sapo ai konfirmonte diçka, mediat nxirrnin të dhëna që i hidhnin poshtë informacionet që kryeministri ua servirte shqiptarëve. Të paktën tetë herë në tri ditë, kryeministri i vendit ka devijuar dukshëm nga e vërteta. Ndërsa sytë e të gjithë shqiptarëve ishin përqendruar mbi televizionet për të mësuar diçka më tepër nga personi më i informuar i vendit (kryeministri), të nesërmen lexonin në gazeta faksimile zyrtare që flisnin për fakte krejt të kundërta të atyre që kishin dëgjuar nga kryeministri i tyre. Të dhëna që lidheshin me marrëdhëniet kontraktuale mes shtetit dhe dy subjekteve private, të dhëna që flisnin për fëmijë që "luanin" me predha, të dhëna që lidheshin me listën e të punësuarve, nuk u thanë kurrë saktësisht nga kryeministri ato tri ditë.
Prokuroria
Një javë pas shpërthimit, kryeprokurorja Ina Rama shpalli vendimin e organit të akuzës për të hetuar ngjarjen, vendim që u pasua me arrestimin e Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Artan Minxollit. Si për ironi, dy ditë pasi u shpall ky vendim, në media u bë publik fakti se nga shpërthimi që mori jetën e 26 punonjësve, mes tyre ishte dhe baxhanaku i kryeministrit. I zënë ngushtë, Berisha doli publikisht dhe pohoi se nuk e njihte baxhanakun dhe se ai punonte për bukën e gojës aty. Më vonë, ish-punonjës së fabrikës vdekjeprurëse e identifikuan baxhanakun e kryeministrit si një ndër personat që udhëhiqte procesin e demontimit të armëve në atë fabrikë. Prokuroria shqiptare caktoi një grup special pune dhe hetoi në dy pista: në shkeljen e rregullave dhe të parametrave nga firma private dhe zyrtarët si dhe në pistën e trafikimit të armëve. Prokurorisë nuk i është dashur ndonjë punë e madhe investigimi për pistën e trafikimit, pasi informatat më të vyera duket se janë siguruar në “gojën e ujkut”, në zyrën e Ylli Pinarit. Fill pas arrestimit, Prokuroria ka mundur të sigurojë një volum të konsiderueshëm dokumentesh, ndër të cilat disa kontrata, disa komunikime me anë të FAX-it, por edhe disa preventivë, të cilët kanë formuar të dhënat e nevojshme për të diktuar një rrjet të mirorganizuar të trafikimit dhe shitjes në të zezë të armëve shqiptare. Hetimi u pasua me shkarkimin e disa zyrtarëve ndërsa ministri i Mbrojtjes, Mediu, dha dorëheqjen ndërsa po akuzohej publikisht nga Kosta Trebicka lidhur me një kontratë të Ministrisë së Mbrojtjes me Pentagonin. Dorëheqja e Mediut u pasua me shkarkimin e krerëve më të lartë të Shtabit të Përgjithshëm dhe disa zyrtarëve të tjerë. “Unë di që ministri dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm janë informuar rregullisht sipas standardeve të raportimeve që bëhen në strukturat e Forcave të Armatosura. Është tjetër problem pastaj nëse është lexuar, i është kushtuar vëmendje apo i ka mbytur rutina e punës dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje marrësit e raportimeve. Kjo ka të bëjë me atë se sa korrektë janë me kryerjen e detyrave të tyre funksionale të tjerët. Po të analizosh të gjitha procedurat administrative që janë ndjekur për përpilimin e urdhrave dhe pastaj se si janë zbatuar urdhrat në terren, del fare mirë përgjegjësia. Në rastin konkret, pra në rastin tim, unë jam komandant i Komandës Mbështetëse dhe në bazë të zbatimit të atyre urdhrave del përgjegjësia ime”, -deklaroi pas shkarkimit nga detyra gjeneral Zihja Bahja.
Trafikimi
Në sajë të informacionit të sekuestruar është vërtetuar se nga firma “MEICO” ka pasur tratativa dhe kontrata të konkluduara me disa “pika kontakti” ndërkombëtare, që nuk kanë operuar në rrugë zyrtare dhe që rezultojnë si subjekte private anonime. Por përveç këtij fakti, në dokumente vërtetohet se ka pasur dhe disa dërgesa të mëdha me kontejnerë të mbushur me municione, që nuk figurojnë në regjistrat zyrtarë të kompanisë. Deri tani mësohet se janë evidentuar edhe disa pika kontakti me të cilat ka pasur marrëdhënie intensive të kontrabandimit të armëve në tre vitet e fundit. Greqia, Bosnja, Austria dhe Zvicra janë evidentuar deri tani si pika kontakti për porositjen e ngarkesave, ndërsa disa dokumente kanë dhënë informacion edhe në lidhje me vendin e këtyre ngarkesave. Zbardhja e këtij informacioni që lidhet me kontrabandimin e armatimit të vendit tonë ka hedhur dritë edhe në lidhje me funksionet e vërteta të së ashtuquajturës “bazë e demontimit në Gërdec”. Kjo ndodh pasi nga krahasimi i të dhënave prokurorët kanë bindjen se në të vërtetë Gërdeci ka qenë më së shumti një pikë tranziti dhe parapërgatitjeje për municionet që “i hipnin” avionëve në Rinas. Prokurorët e dosjes “Gërdeci” janë të sigurt se hetimi thelbësor i kontrabandimit të armëve do të rrisë ndjeshëm numrin e të dyshuarve dhe të të akuzuarve për këtë vepër penale. Sipas tyre, organizimi i një aktiviteti me përmasa të tilla në sfondin e një “qetësie perfekte”, që u trondit vetëm nga shpërthimi i 15 marsit, me siguri që është një skemë që ka përfshirë shumë njerëz.
Institucionet
Një tjetër pikëpyetje lidhet me skandalin e Gërdecit dhe me rolin e Ministrisë së Jashtme dhe të Auditit të Ministrisë së Mbrojtjes që çuditërisht janë dy institucionet e vetme të implikuara që nuk janë përmendur nga Presidenti dhe Kryeministri. Pakkush e di por asnjë shitje nuk mund të kryhet nga MEICO nëse mbi kontratë nuk firmos dhe Ministria e Jashtme. Kjo për faktin se është pikërisht Ministria e Jashtme që shikon vendmbërritjen e armëve dhe analizon të drejtën ndërkombëtare të transportit (për vendet në embargo etj.). Kësisoj, edhe Ministria e Jashtme duket se "nuk po ndihet" lidhur me këtë fakt. Mund të ndodhë që trafiku është bërë në mungesë të plotë të dijenisë së Ministrisë së Jashtme, por municionet që janë trafikuar kanë qenë diku të regjistruara dhe të inventarizuara. Në këto kushte, lind pyetja: Po Auditi i Ministrisë çfarë ka bërë? Edhe ky institucion as është përmendur fare nga Kryeministri dhe Presidenti, që çuditërisht fajësojnë institucionet më pak përgjegjëse për këtë skandal. Vendndodhja e fabrikës në Gërdec të Vorës është një e dhënë shumë domethënëse e mundësisë së trafikimit të paligjshëm të municioneve. Pikësëpari, afërsia me vendet e tranzitit ul shumë kostot e transportit, por mbi të gjitha krijon një disponueshmëri të lartë. Kjo do të thotë se në arsenalin e pafund të municioneve të Gërdecit nëse do të kishte "porosi", mjafton të ishte avioni, anija dhe furgonët gati, pasi armët ishin gati me kohë dhe shumë pranë. Kësisoj, afërsia me këto pika ishte patjetër një vendndodhje e mirëmenduar nëse i referohesh faktit se vendndodhjen e kanë përcaktuar autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, që e dinin shumë mirë se nuk mund të lihej "bomba" në mes të fshatit.
Pinari
“Albania” disa javë pas shpërthimit zbuloi se kontrata e dytë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës amerikane u protokollua vetëm pas shpërthimit në Gërdec, edhe pse pretendohej se ishte lidhur në muajin dhjetor 2007. Një ditë pas shpërthimit tronditës në Gërdec, Ylli Pinari është paraqitur në Zyrën e Protokollit të Ministrisë së Mbrojtjes me një kontratë në dorë (mes MEICO-s dhe Southern Ammunition) dhe u ka kërkuar punonjësve ta protokollonin në regjistrin e muajit dhjetor. Dëshmia e punonjëses së Protokollit të Ministrisë së Mbrojtjes dhënë në prokurori disa javë më parë duket se ka “vulosur” jo vetëm falsitetin e kontratës, por edhe pistën e trafikimit ndërkombëtar të armëve. “Albania” ka mësuar se grupi hetimor i çështjes ka vërtetuar shkencërisht tashmë se kontrata e dytë e pretenduar si e lidhur mes MEICO-s është e falsifikuar dhe, mbi të gjitha, këtë e mbështet dhe dëshmia e një punonjësi të Protokollit të Ministrisë. Bëhet fjalë për kontratën e dytë të lidhur më 28 dhjetor 2007, me anë të së cilës Ministria pretendoi se baza e Gërdecit ishte nën “kontrollin” e një firme amerikane.
Urdhrat e ministrit Fatmir Mediu
Urdhri Nr. 550,
datë 25.04.2007, i ministrit për dhënien me qira të pronës së Gërdecit për Southern Ammunition Company (SAC) dhe lejimin e hyrjes së personelit të kontraktorit vetëm për periudhën e ndërtimit të strukturës industriale.
Urdhri Nr. 2044,
datë 07 dhjetor 2007, ku kërkohej fillimi i projektit të ri me municione të rënda dhe në pikën 9 të të cilit përcaktohej se ruajtja e rajonit të Gërdecit do të bëhej nga efektiva të Forcës së Bashkuar dhe “MEICO”-s.
16 Janar 2009