Kryetari i Bundestagut gjerman, flet shqip në Kuvend
Lammert shprehet se duhen më shumë reforma në vend
TIRANË- Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, kryetari i Bundestagut (parlamentit) Gjerman, Norbert Lammert ka mbajtur një fjalë përshëndetëse gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Lammert e ka nisur fjalën e tij në shqip. "Shumë e nderuara zonja Kryetare e Kuvendit, Zoti Kryeministër, Të dashur kolegë dhe kolege, Të nderuar zonja dhe zotërinj, Të dashur miq të Gjermanisë në Shqipëri, Për ftesën miqësore në vendin tuaj të bukur, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht, veçanërisht për nderin që më rezervuat për të folur para jush. Ju lutem për mirëkuptimin tuaj, më tej do të flas në gjuhën time amtare, në gjermanisht", - ishin fjalët e Lamert në shqip. Më pas, ai ka deklaruar se Shqipëria ka bërë shumë hapa drejt zhvillimit, për të cilat duhet të vlerësohet, por ka theksuar se ka ende shumë punë për t'u bërë. "Ka ende disa reforma për të realizuar, të cilat janë të nevojshme për hyrjen e saj në Bashkimin Euroian",- ka deklaruar në Kuvend, Norbert Lammert. Duke i cilësuar si kusht të domosdoshëm këto reforma, kryeparlamentari gjerman ka theksuar se kur flitet për ndryshime të rëndësishme, duhet koha e domosdoshme që ato të ndodhin. Prandaj, është shprehur ai, edhe Shqipëria do ketë kohën e vet, për të pësuar ndryshimet e rëndësishme dhe të pritshme. Më tej, kreu i Bundestagut gjerman duke vlerësuar kulturën shqiptare, është shprehur se ajo përbën një element tepër të rëndësishëm për përcaktimin e identitetit të një kombi që kërkon të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane."Në këtë kontinent me bindje të përbashkëta, për të cilat unë shpresoj që ne t'i mbajmë së bashku në këtë shekull të 21, nëse ka diçka që përbën thelbin e Europës, është kultura, prandaj dhe unë flas në parlamente për këtë bashkësi, për zhvillimet kulturore", - u shpreh Lammert.
F.B