E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Berisha të japë shpjegime për të bijën”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, kërkon interpelancë me kryeministrin Sali Berisha për abuzimin me tokat në bregdet. Braçe publikoi në seancën e djeshme plenare disa dokumente, sipas të cilave, në shitblerjen e tokave në bregdet është e përfshirë dhe vajza e kreut të Ekzekutivit. Sipas tij, Kryeministri ynë është unikal në Evropë për ritmin marramendës të skandaleve, përfshirjen familjare në to, konfliktin e interesave, pasurinë dhe krijimin e saj, papërgjegjshmërinë, mungesën e transparencës si dhe mungesën e përgjigjeve para publikut për këto skandale. “Do të doja të tregoja përmes fakteve, skandalin më të fundit, i cili provon qartazi konfliktin e interesit mes familjes biologjike dhe asaj ekzekutive ku drejton i njëjti njeri, Kryeministri ynë Sali Berisha , - tha dje Braçe. Sipas tij, në janar të vitit 2008, shfaqet dhe regjistrohet në Tiranë, shtrihet në Shqipëri një biznes i quajtur “Best Property Albania”. Aktiviteti i kësaj kompanie, përfshin kryesisht shitblerje pronash, tokash, konsulencë për bizneset private që duan të investojnë në Shqipëri dhe nga të gjitha bizneset në hoteleri-turizëm. Në mënyrë të pabesueshme, sipas tij, kjo kompani arrin të krijojë partneritet dhe të hyjë fort në treg duke lajmëruar për shitje marramendëse sipërfaqesh tokash në bregdet dhe për pjesën më të bukur të Shqipërisë, bregun e jugut të vendit. “Pikërisht në Ueb David Hentsell, drejtues i kësaj kompanie, në faqen 14 të saj, në kapitullin Legal and suport thotë se David Hamsfeld ka krijuar një marrëdhënie këshillimi me Argita Malltezin”, - tha ai. Braçe shtoi më tej se në ueb-in e kësaj firme gjenden 4 njoftime për shitblerje tokash. I pari në Gjirin e Lalëzit me sipërfaqe 2.4 milionë metër katrorë tokë, e vlefshme dhe ekskluzive për Best Property, me certifikatë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Për ta vazhduar me tri raste të tjera në bregun e Jugut të vendit, në Ksamil, rasti i parë 970 mijë m2, rasti i dytë 29.500 m2, rasti i tretë 15 mijë metra katrorë dhe këtu thuhet e vlefshme dhe ekskluzive për Best Property me certifikatë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. “Tre muaj më parë, Sali Berisha tha se Diveroli, banditi Diverol, e kish keqpërmedur emrin e djalit të tij, por ky nuk e paditi kurrë pikërisht këtë njeri. Tani kryeministri ynë ka rastin të padisë më në fund këtë zotërinë tjetër anglez, që ka përmendur emrin e vajzës së tij”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›