E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria mbështet forcimin e shtetit ligjor në Kosovë”

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehu të enjten gatishmërinë dhe vullnetin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për të ndarë përvojën dhe për të mbështetur Kosovën në ngritjen e shtetit ligjor dhe rrugëtimin e saj integrues drejt strukturave euroatlantike. Zyra e shtypit pranë Presidentit bëri të ditur se Topi priti në Presidencë delegacionin e nivelit të lartë nga Kosova, të kryesuar nga ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe ministri i Shërbimit Publik, Arsim Bajrami. Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit institucional zyrtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kreu i Shtetit vlerësoi se, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, klasa politike dhe populli kosovar kanë dëshmuar qartë maturinë e tyre në mbajtjen e zgjedhjeve, administrimin e pushtetit, ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve sipas standardeve. Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e forcimit të institucioneve, sidomos atyre të drejtësisë, ku një rol të madh luan edhe shkëmbimi dhe marrja e përvojës nga vendi ynë për sa i përket sistemit gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, etj. Ministrja e Drejtësisë, zonja Kelmendi dhe ministri i Shërbimit Publik, zoti Bajrami, vlerësuan mbështetjen që ka dhënë presidenti Topi, shteti shqiptar e institucionet e tij për çështjen e Kosovës dhe kurorëzimin e pavarësisë së saj. Po dje, ministrat kosovarë zhvilluan një takim dhe me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›