E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e informacioneve pengon konsensusin

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Por duket se opozita dhe mazhoranca përsëri nuk janë akorduar për sa i përket informacioneve që do të grumbullohen për kandidatët. Pikërisht ky ka përbërë debatin kryesor mes palëve”

Marrja e informacionit nga institucionet përkatëse për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë ka lënë përsëri pa një vendim përfundimar Këshillin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve. Ky komision u mblodh paraditen e djeshme menjëherë pas seancës plenare dhe diskutoi mbi tre propozime për mënyrën e kalimit të kandidatëve në komisione, para se ata të votohen në seancë. Por duket se opozita dhe mazhoranca përsëri nuk janë akorduar për sa u përket informacioneve që do të grumbullohen për kandidatët. Pikërisht ky ka përbërë debatin kryesor mes palëve. Partia Socialiste kërkon procedura më të thjeshtuara lidhur me seancën dëgjimore duke akuzuar se Partia Demokratike do t i kthejë ato në seanca hetimi. Por kjo akuzë është hedhur poshtë nga Partia Demokratike. Ajo e konsideron më se normale mbledhjen e informacionit për një kandidat të organeve kushtetuese apo dekreteve të ardhura nga Presidenti.
Mbledhja
Kundërshtimet e socialistëve, për sa u përket burimeve të informacioneve që do të grumbullohen, janë mbështetur edhe nga pjesa tjetër e opozitës. Kjo ka bërë që edhe mbledhja e djeshme e Këshillit të Rregullores së mos arrijë në konkluzione përfundimtare. Një ditë më parë, Këshilli vendosi të bëjë ndryshime të tjera në rregullore, duke mos u fokusuar vetëm te ndryshimi i neneve që lidheshin me dekretet e Presidentit të Republikës. Ai reflektoi në Rregulloren e funksionimit të legjislativit shqiptar pikërisht ndryshimet kushtetuese që lidheshin me mocionin e besimit dhe mosbesimit të Kryeministrit si dhe ndryshimet për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Gjatë mbledhjes së dy ditëve më parë, Këshilli për Rregulloren, me prezencën edhe të deputetëve të opozitës, rishqyrtoi propozimet e bëra nga deputetët Spiro Peçi dhe Fatmir Mediu lidhur me ndryshimin e nenit 111, “Zgjedhja e organeve kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit”. Në Këshill u sugjerua përcaktimi “zyrtar” i llojit të informacionit që kryetari i Komisionit të Ligjeve do t u kërkojë institucioneve shtetërore dhe publike për çdo kandidat. Një pikë e debatueshme, e cila nuk gjeti zgjidhje as në mbledhjen e djeshme të Këshillit, ishte pikërisht përcaktimi i procedurës që Kuvendi do të zgjedhë në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj. Në variantin e propozuar nga Këshilli, por që u kundërshtua nga deputeti Peçi, thuhej: “Komisioni organizon seanca dëgjimore me secilin kandidat, në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni nëpërmjet raportit të tij i kërkon seancës plenare të marrë një vendim si dhe të procedohet më tej. Në çdo rast tjetër, kur kandidaturat plotësojnë kushtet ligjore, seanca vendos me votim të fshehtë.” Për këtë pikë kundërshtimi i deputetit të PBDNJ-së ishte si referencë pikërisht Kushtetuta, e cila vendos votimin si të vetmen formë që përdoret nga seanca për kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës. Në ndryshimet e reja të Rregullores përcaktohet gjithashtu edhe zhvillimi i seancave dëgjimore me kandidatët. “Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën menjëherë Komisionit të Ligjeve, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tri javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit të Ligjeve dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të. Kandidatët për të cilët Kuvendi vendos moszgjedhjen apo mosdhënien e pëlqimit, nuk mund të riparaqiten përsëri në Kuvend brenda së njëjtës legjislaturë”, - propozohet nga Këshilli në ndryshimet e reja. Për këtë pikë është rënë dakord mes palëve.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›