E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të kërkojmë zvogëlimin e kompetencave të KQZ-së”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të kërkojë të pakësohen kompetencat për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në procesin vendimarrës të rezultatit të zgjedhjeve. Ky do të jetë një nga propozimet e LSI-së në Komisionin e ngritur për hartimin e Kodit Zgjedhor. Deputeti i LSI-së, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho, pohon se KQZ do të funksionojë si një organ i rregulluar me ligj. Natyrisht, do të ketë dhe ato atribute që i ngarkonte ligji i mëparshëm, si organ që organizon dhe administron zgjedhjet. “NE do të këmbëngulim që të pakësohet roli vendimmarrës i KQZ-së në rezultatin e zgjedhjeve duke ua lënë këtë të drejtë komisioneve të bazës”, - sqaron ai. Lidhur me propozimet e tjera të kësaj partie, Braho u shpreh se do të kërkojnë të caktohet një prag kombëtar si dhe të ketë një ndarje të re administrative për të ndarë zonat zgjedhore me numër të barabartë zgjedhësish. Ndërkohë që një tjetër propozim, ku LSI do të këmbëngulë, është votimi i emigrantëve. “Do të synojmë me forcë që në procesin e administrimit dhe numërimit të votave, të tëra partitë politike të jenë të pranishme dhe ajo që ka më shumë rëndësi, ne tashmë kemi paraqitur një draftpropozim që në kod duhet lejuar votimi i emigrantëve”, - tha ai. Por Braho shprehu rezerva për punën e komisionit duke pohuar se ai është komision bipartizan PD-PS, sa kohë që vendimmarrja bazohet vetëm në veton dhe qëndrimet e vendosura në marrëveshjen e këtyre partive. Prezenca e partive të tjera dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare, sipas Brahos, është formale. Ai tha se LSI do të këmbëngulë për sa më shumë transparencë në këtë proces.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›