E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Berisha të mos pengojë hetimin”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka përgënjeshtruar dje deklarimet e vajzës së kryeministrit Sali Berisha lidhur me çëshjtjen “Fazliç” ndërsa i ka kërkuar këtij të fundit të mos bllokojë hetimin. Sipas tij, presioni i fortë i mediave të pavarura në Shqipëri natyrisht, dhe presioni fortë i PS-së, po bën të mundur të dalin në dritën e diellit një nga një të gjithë personazhet e skandalit të kapjes kriminale të shtetit nga lobi serbo-boshnjak që nis tek Damir Fazliç dhe mbaron tek Berisha. “Prej 4 ditësh të gjithë po mundohen të dëshmojnë "për çfarë dinë". Do të doja të kujtoja se dëshmia nuk është lojë me tullumbace, por përgjegjësi për drejtësi. Ndaj të gjitha dëshmitë vullnetare dhe të ligjshme duhen adresuar atje në Prokurori dhe jo në shtëpi, as në studion legale, as në studion qeveritare. Për dëshmi të ndershme, natyrisht që kjo është e vëshirë për zonja dhe zotërinj që i kanë mësuar të gënjejnë dhe në makinën e së vërtetës”, - tha Braçe, duke ftuar Argita Malltezin që të dëshmojë në Prokurori. Duke përmendur dhe publikuar një sërë dokumentesh dhe faktesh, numri dy i deputetëve socialistë tha se ish-ortakja e Argita Berishës, avokatja Flutura Kola, është nën dyshime të forta të jetë përfshirë dhe më pas të ketë ofruar shërbime ligjore Fazliçit në një skenë klasike të pastrimit të parave, në trajektoren Qipro-Tiranë në vlerën 1.7 milionë euro. Ai sqaroi se alibia e zgjedhur për të fashitur dyshimet se si një kompani pa asete u shit 1,7 milionë euro, duke servirur toka si asete, kanë rënë që kur kompania është shitur në qershor dhe kur toka është blerë 2 muaj më pas në gusht. Ai pohoi gjithashtu se të gjitha vendimet për parkun energjetik të Porto Romanos i ka marrë Sali Berisha, duke sjellë në dritë të diellit një konflikt të pastër interesi, pikërisht në familjen e tij. “Dje një tjetër përfaqësuese e pushtetit tribal të Sali Berishës, ekspertja kontabël, Shpresa Breçani, dëshmoi se nuk kishte asnjë lidhje me kompanitë apo shërbimet e Damir Fazliçit. Dua t u them se ekspertja Shpresa Breçani figuron në dokumentet zyrtare të arshivuara në agjencitë e shtetit shqiptar si eksperte kontabël e kompanisë “Alfa” me numër licence 143 datë 12.9.06 në pronësi 100% të shtetasit Damir Fazliç”, - tha ai. Braçe i bëri thirrje Berishës të heqë dorë nga shndërrimi apo kthimi i qeverisë së tij në një studio legale në mbrojtje të Damir Fazliçit, ku mund të urdhërojë agjencitë e zbatimit të ligjit, të pengojnë hetimet e nisura tashmë nga Prokuroria.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›