E Diel, 1 Nëntor 2026

15 vjet burg për haker-at që ndërhyjnë në kompjuterat ushtarakë

Autori i Lajmit: red.
Vjedhja e informacioneve kompjuterike tashmë do të jetë një vepër penale që do të marrë dënim nga 3 deri në 15 vjet burg. Ky është propozimi më i fundit i Ekzekutivit në bazë të disa ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal. Dënimi maksimal është pikërisht për ato ndërhyrje që mund të bëhen në sistemet kompjuterike ushtarake apo të sigurisë kombëtare. Ndërkohë që në projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, masa e dënimit është në varësi të informacionit që dëmtohet apo keqpërdoret. Kështu, ndëshkim parashikohet për keqpërdorimin e të dhënave dhe ofrimin e materialeve të gjenocidit, të ksenofobisë, racizmit etj. Ndërsa përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike dhe i të dhënave kompjuterike, që gjithashtu përbën vepër penale, do të dënohet me burgim nga 3-7 vjet. Masë më e vogël dënimi jepet për ata persona që hyjnë në mënyrë të paautorizuar në një sistem kompjuterik, vepër e cila dënohet nga 3 vjet deri në 10 vjet. Ndërkohë, sipas ndryshimeve në Kodin Penal, prodhimi, shitja dhe dhënia në përdorim e programeve kompjuterike, kodeve apo fjalëkalimeve, përbën sigurisht një vepër penale dhe dënohet me 6 muaj deri në 5 vjet heqje lirie. Ndryshimet përfshijnë dhe dënime për paracaktimin e rezultateve në gara sportive. Për këtë vepër penale do të jetë me gjobë 500 mijë deri në 3 milionë lekë ose me burg 3 muaj deri në 2 vjet. Nëse kjo vepër penale është bërë për qëllime të fitimeve pasurore, dënimi është edhe më i rëndë duke shkuar nga 2-7 vjet burg. Sipas specialistëve të dikasterit të drejtësisë, ndryshimet e reja në Kod erdhën si domosdoshmëri e përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë evropian dhe mbi të gjitha me realitetin bashkëkohor, për sa i takon krimit kibernetik. Mbrojtja e shoqërisë shqiptare nga krimi kibernetik, adaptimi i legjislacionit dhe nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit në fushën e kibernetikës, janë tre arsyet kryesore që kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë të propozojë këto ndryshime. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord përgjithësisht për këto ndryshime. I vetmi kundërshstim i opozitës, por edhe i deputetit të PBDNJ-së, Spiro Peçi, ishte ndryshimi në nenin 197|b, i cili parashikon dënim me gjobë ose deri në 2 vjet burg dhe për personat që shtrembërojnë konkurrencën në garat sportive duke përdorur substanca të ndaluara. Sipas deputetëve Bashkim Fino dhe Spiro Peçi, nuk mund të propozohen ndryshime kur nuk ekzistojnë precedentë në vendin tonë. Pas kundërhstimeve të tyre, neni kalon në seancë me 7 vota pro dhe 5 kundër. Nenet për krimin kibernetik do të futen në Kodin Penal pas adaptimit dhe përshtatjes që u bëri Ministria e Drejtësisë ligjeve të vendeve evropiane.

Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›