E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Raporti i KE-së, progres për Kuvendin”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar pozitiv raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe veçanërisht për punën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjatë një deklarate për shtyp Topalli ka përshëndetur Raport-progresin, duke theksuar se ky raport është një vlerësim objektiv i punës së Parlamentit.
Por Topalli ka pranuar kritikat e Raportit, sipas të cilit marrëdhëniet midis Kuvendit dhe institucioneve të pavarura kanë qenë të acaruara. “Natyrisht, ka pasur edhe momente të vështira të marrëdhënieve midis Parlamentit dhe institucioneve që burojnë prej tij, si në rastin e emërimit të gjykatësve, por amendimi me konsensus i Rregullores dha zgjidhjen e kënaqshme edhe në këtë rast. Momenti kulmor i punës së parlamentarizmit, pa dyshim ka qenë ndryshimi i Kushtetutës, i sistemit elektoral, i mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe i mandatit të prokurorit të Përgjithshëm”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit. Më tej, duke iu referuar detyrimeve që rrjedhin nga ky raport, Topalli bëri të ditur se një prej këtyre detyrimeve, siç është Kodi Zgjedhor, do të miratohet së shpejti. “Raporti konstaton qartësisht ‘progresin në reformën zgjedhore’. Por ne edhe njëherë sigurojmë se jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sfida kryesore, Kodi Elektoral, është prioriteti ynë, vëmendja jonë; dhe ju garantoj se do të mbyllet së shpejti”, - është shprehur Topalli. Po kështu, kryetarja e Kuvendit dha garanci se muajt e ardhshëm do të miratohen në Kuvend dhe reforma në Drejtësi dhe çështja e imuniteteve të deputetëve dhe zyrtarëve.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›