E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Hetimet e Prokurorisë, tendencioze

 

TIRANË- Një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme kërkoi nga Kuvendi heqjen e imunitetit si deputet, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu e ka cilësuar hetimin e deritanishëm “të njëanshëm dhe tendencioz, si nga mënyra e veprimeve dhe qëndrimeve publike të Prokurores së Përgjithshme, ashtu dhe nga thelbi i kërkesës”. “Tendencioziteti duket edhe në përfundimet e hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, Forcat e Armatosura, drejtuesit përkatës të tyre, kanë qenë njëkohësisht të përjashtuara nga procesi apo të urdhëruar, duke krijuar kështu një paradoks logjik në të gjithë përmbajtjen e kërkesës”,- tha Mediu. Ai shtoi se, "në analizën përfundimtare të shkakut të shpërthimit, kryeprokurorja Ina Rama konfirmoi se ngjarja ka ndodhur për shkak të moszbatimit të rregullave të sigurisë gjatë demontimit”. Për këtë arsye, Mediu ka deklaruar se, “Ina Rama duhej të shpjegonte se cili veprim apo mosveprim konkret dhe akt i firmosur prej tij ka ulur nivelin e sigurisë në këtë proces”. Ai tha se paraqitja kaq vonë e kësaj kërkese nga Prokuroria e Përgjithshme “është e pajustifikueshme dhe mbetet e kompromentueshme”. Megjithatë, Fatmir Mediu ka sfiduar hapur Prokurorinë, duke shtuar se përgjegjësinë, sipas tij, morale askush nuk mund ta kthejë në përgjegjësi ligjore. Në këtë mënyrë, sërish Mediu nuk pranon të ketë përgjegjësi ligjore, edhe pse katastrofa e Gërdecit e ndodhur më 25 Mars mori 26 jetë, shkaktoi qindra të plagosur e shtëpi të shkatërruara. Për këtë ngjarje mjaft të rëndë, Prokuroria përmes një materiali të gjerë i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit, draft të cilin Mediu e kundërshtoi duke bërë publike dokumente që, sipas tij, vërtetonin të kundërtën e kërkesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›