E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikatorët dyshohen për grabitje

Armët e gjetura në banesat e dy vëllezërve Seferi dhe një maskë, janë sipas policisë indicje për të hetuar vjedhjen me armë

Hetuesit kanë dokumentuar së paku 100 episode nga vëzhgimet e tyre vetjake apo nga denoncimet e ndryshme të regjistruara

TIRANË- Disa nga anëtarët e grupit prej 26 personash të arrestuar gjatë operacionit policor "Piramida", për falsifikimin e kartmonedhave të llojeve të ndryshme, dyshohen të jenë autorë të disa vjedhjeve dhe grabitjeve me armë të kryera në kryeqytet gjatë vitit 2009. Gjashtë prej tyre dyshohen për vjedhje dhe grabitje, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur armë dhe maska.

Burimet nga policia e kryeqytetit pohuan dje, se përveç personave që tashmë janë në pranga, pritet të ketë arrestime të tjera, për bashkëpunëtorët e grupit që dyshohet për veprimtarinë kriminale të falsifikimit të lekëve, të prerjeve të ndryshme. Burimet e policisë shtuan më tej, se disa nga këta persona njihen si elementë krimi në Tiranë, të dyshuar për një sërë veprash penale si vjedhje, grabitje dhe falsifikim.

Ndërkohë burimet të Policisë së kryeqytetit, pohuan dje, se grupi prej 26 personash, ishte angazhuar vetëm në falsifikimin e kartmonedhave shqiptare dhe jo huaja, duke qenë se ato këmbeheshin me njerëz që nuk kishin mundësi të kishin para të huaja në duar.

Hetuesit e antikrimit ekonomik e kanë cilësuar teknologjinë e përdorur si tepër të sofistikuar, makineritë e së cilës ishin vendosur në shtëpinë e tre vëllezërve Pashkaj në rrugën "5 Maj". Këta të fundit gjithashtu janë arrestuar si pjesëtarë të grupit që vepronte në këtë drejtim.

Hedhja e lekëve false në treg fare thjesht, ku personat e arrestuar viheshin në vende të ndryshme si pranë spitaleve apo pikave të karburantit, ku u kërkonin njerëzve apo shitësve shkëmbimin e lekëve nga kartmonedha të mëdha në kartmonedha më të vogla. Kërkesa për të shkëmbyer paratë lidhej me faktin se iu duheshin për blerjen e ilaçeve apo kryerjes së pagesave për shërbimeve të ndryshme në spital.

Kjo skemë ka funksionuar për më tepër se një vit, ku mësohet se gjatë kësaj kohe, të arrestuarit për një sërë veprash penale, mbaheshin nën mbikëqyrje nga strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës.

Madje sipas burimeve të policisë dyshohet se në disa raste paratë kanë qarkulluar edhe në industrinë e seksit për të paguar poseduesit kartmonedhave për shërbimin që merrnin.

Operacioni i koduar "Piramida", u krye nga Njësia e Operacioneve Speciale, që ka realizuar edhe vëzhgimin e të dyshuarve të kësaj veprimtarie. Hetimi ndaj të arrestuarve është drejtuar nga Zyra e Antikrimit Ekonomik bashkë me njësinë e Task-Force në prokurorinë e Tiranës.

Mësohet se më shumë se 100 episode nga qytetarë të ndryshëm janë bërë pranë Seksionit Kundër Krimit Ekonomik -Financiar, në Policinë e Tiranës, për veprimtarinë e grupi kriminal me këtë aktivitet edhe në qytete të tjerë, si Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës.

Në këto qytete, janë hedhur në qarkullim prerje të një mijë, dy mijë dhe pesë mijë lekëshe, kryesisht pranë spitaleve, karburanteve, apo lokaleve të natës. Operacioni nisi mbrëmjen e të premtes, ndërsa më parë ishin siguruar vendimet e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet pas kërkesës së Prokurorisë.

Procedimi
Hetimi u zgjerua pas shtimit të denoncimeve

Hetimet e Prokurorisë dhe të Policisë së Tiranës për aktivitetin e të arrestuarve kanë nisur më pas e janë zgjeruar pas kallëzimeve të qytetarëve të ndryshëm, që janë dëmtuar nga kartmonedhat e falsifikuara.

Nga hetimet e deritanishme në lidhje me aktivitetin e 26 personave, mësohet se lekët false i përdornin për blerje të makinave personale si dhe për qëllime të tjera, duke i shpenzuar edhe për jetë nate.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Tiranës janë përqendruar edhe në pistën e investimit të lekëve në ndonjë biznes apo aktivitet tjetër, por që deri tani kjo nuk është vërtetuar, por bëhet fjalë për përdorimin e tyre për qëllime personale të pjesëtarëve të grupit, për blerje të makinave si dhe për harxhimin e tyre në lokale të natës.

Nga hetimet paraprake të Prokurorisë, bëhet e ditur se kompjuterët dhe printerat ishin blere në Itali dhe kishin precizon të lartë skanimi, duke bërë që kartmonedhat e hedhura në qarkullim, të mos ishin lehtësisht të dallueshme që janë të falsifikuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›