Braçe: Largimet janë amorale dhe tregojnë problemet e sistemit
• Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje se, "frika është një sjellje e huaj për PS-në, kështu që nuk ekziston mundësia e agonisë që mund ta zërë këtë parti kur bëhet fjalë për largime nga anÃëtarësia".Kjo deklaratë e bërë nga Braçe, vjen menjëherë pas qëndrimit të bërë publik një ditë më parë nga deputeti i PS-së, Durim Lamaj për afrim me LSI-në dhe qëndrimi i ish-deputetit socialist, Hamit Kosta, i cili u anëtarësua te grupi parlamentar i PDK-së. "Dy deputetët që ju përmendni që nga korriku i vitit 2007, nuk janë më pjesë e PS-së e as e grupit parlamentar të kësaj force politike. Të dy deputetët e lartpërmendur, për sa kohë që nuk janë më pjesë e grupit parlamentar të PS-së, kanë të drejtën e tyre të vendosen kudo që ata dëshirojnë të shkojnë", tha Braçe. Duke dhënë opinionin e tij personal, Braçe e ka quajtur këtë lëvizje si "amorale dhe produkt i një sistemi politik të kalbur dhe të korruptuar që sot ekziston në Shqipëri". "Pikërisht për këtë arsye ne kemi kërkuar me insistim që ky problem të zgjidhet me anë të reformës zgjedhore dhe ju them se është momenti që reforma zgjedhore të zhduk përfundimisht këtë sistem të kalbur dhe të korruptuar që ekziston në këtë vend", u shpreh Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist tha se, "kjo anomali që ekziston në Parlamentin e Shqipërisë, që i ngjan më tepër një tregu futbollistësh sesa një klase politike të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve, duhet të marrë fund tani e përgjithmonë".