Projekti i ri, ja ligji që do të mbrojë konsumatorët
• Qeveria ka nisur dje shqyrtimin e ligjit "Për mbrojtjen e konsumatorit", i cili, sipas Kryeministrit Berisha, do t'i japë përgjigje një sërë problemesh në mbrojtje të interesave të qytetarëve.Kreu e qeverisë e bëri të ditur këtë iniciativë në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se "në çdo gjë që ne duhet të bëjmë, në çdo përpjekje për të pranuar hapësira të tjera, më të gjera për tregun, duhet të kemi në qendër të gjithë veprimtarisë sonë mbrojtjen e konsumatorit", u shpreh Kryeministri gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë. Sipas tij, "ky ligj u jep përgjigje një sërë problemesh që kanë të bëjnë me konsumatorin, në mbrojtje të interesave të tij, si dhe në përcaktimin e rregullave dhe ngritjen e institucioneve përkatëse për mbrojtjen e të drejtave të tyre". Në nenin 8 të këtij ligji thuhet se tregtarët janë të detyruar, në kufijtë e veprimtarisë përkatëse, t'iu japin konsumatorëve të dhëna të plota dhe të sakta lidhur me mallrat dhe shërbimet e vendosura në treg ose të parashikuara për t'u vendosur në treg. Sipas ligjit të dhënat duhet të jenë të vërteta, të sakta dhe të qarta për të gjitha karakteristikat e mallrave dhe shërbimeve. Por ky p/ligj është kundërshtuar nga Avokati i Popullit, veçanërisht për nenin 52 të tij. Në këtë nen përcaktohet krijimi i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, i cili do të jetë një organ administrativ që do të ketë kompetenca vendimmarrëse. "Fakti është se në përbërje të tij, veç anëtarëve të tjerë, parashikohet të jetë anëtar dhe një përfaqësues nga institucioni i Avokatit të Popullit. Në dukje gjithçka duket mirë, megjithatë, kemi të bëjmë me një problem konceptual që lidhet me keqinterpretimin e funksioneve që i janë dhënë avokatit të popullit, si në kushtetutë ashtu edhe në ligjin organik nr. 8454, datë 04.02.1999 'Për avokatin e popullit', të ndryshuar. Nuk mundet që një organ i pavarur kushtetues, i cili nuk është vendimmarrës, të përfshihet papritur në një organ tjetër të varur nga METE me funksione vendimmarrëse", thuhet në përgjigjen e avokatit të popullit, Ermir Dobjani.