Braçe: Ligji për lojërat e fatit, liberalizohet biznesi i bixhozit
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, përsëriti dje të njëjtat qëndrime të kësaj partie në lidhje me projektligjin e propozuar nga qeveria shqiptare për lojërat e fatit. Sipas Braçes, ky ligj liberalizon biznesin e bixhozit, duke garantuar përhapjen e tij në çdo cep të vendit. “Ligji është kriminal, pasi nuk vendos kufizime në hapësirë për përhapjen apo kufizime në CV-në penale të biznesmenëve apo bizneseve, shoqërive që licencohen në biznesin e bixhozit. Nuk vendos kufizime në moshën e lojtarëve apo edhe në moshën e të punësuarve në këtë biznes që njihet si biznesi i vesit”, - tha Braçe. Sipas tij, ligji është klientelist, pasi aplikon tarifa preferenciale për kategori të ndryshme lojërash fati, aq sa kalohet në absurd kur aplikon tatim mbi xhiron edhe aty ku xhiroja nuk ekziston apo është e pamatshme. “Ligji është korruptiv dhe për këtë cilësim natyrisht që kam huazuar Sali Berishën e opozitës. Është korruptiv sepse ul në mënyrë drastike për gati tre herë e gjysmë tarifën e pagesës për licencën e kazinosë”, - deklaroi Braçe.