E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Monopolet xhirojnë 4 miliardë euro

Deputeti socialist akuzon qeverinë se ka kapur shtetin nëpërmjet klientelizmit

Deputeti socialist, Erjon Braçe, e cilësoi qeverinë aktuale si kabinetin e monopoleve, i cili ka futur duart, sipas tij, në të gjithë sektorët kyç për vendin. “Prodhimi, transmetimi, shpërndarja dhe shitja e energjisë elektrike janë monopol. KESH-i monopol i qeverisë, OST - monopol i qeverisë, OSSH- monopol i qeverisë dhe një privati të përzgjedhur prej saj. çmimi i energjisë elektrike caktohet nga këta, rritet prej tyre për të përfituar maksimalisht”, tha Braçe. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, një tjetër sektor i kapur është ai i kërkimit, prodhimit, përpunimit, depozitimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit. Për deputetin socialist, qeveria ka dhënë gjithçka në dorë të disa privateve pranë saj, të cilët kontrollojnë çmimet në të gjithë tregun. “Jo më pak përfituese, tha Braçe, janë edhe kompanitë e telefonisë fikse dhe asaj celulare”. “Qeveria ua jep kontratat qeveritare 4-5 kompanive, klientë politikë të saj. Qeveria ka urdhëruar përqendrimin edhe të kontratave, kur me vendim ka përjashtuar nga tregu dhjetëra kompani, që sipas saj nuk kanë realizuar një kontratë të mëparshme në 70% të vlerës së saj. E gjitha kur ka mbi një vit që nuk i paguan”, tha Braçe. Tetë tregje të tjera, sipas drejtuesit të PS-së: ai i importit të grurit/prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë, i duhanit, i çimentos, i transportit ajror, i menaxhimit të aeroporteve, i shërbimit/kolaudimit të automjeteve, i menaxhimit të porteve detare, i pullave fiskale, makinave që kontrakton qeveria, janë monopol/oligopol/ pa konkurrencë i disa privatëve, përgjithësisht të zgjedhur nga qeveria politikisht, në gara të korruptuara ku sërish qeveria ka pjesën e saj. “Janë gati 4 miliardë euro që i xhirojnë e përfitojnë monopolet, pra rreth 60 kompani dhe që i paguajnë mbi 3 milionë shqiptarë. Kjo është kapja e shtetit. Monopolet po zhvasin çdo shqiptar, po pasurojnë çdo qeveritar. Ky është pushteti i tyre, nuk është pushteti i shqiptarëve”, tha Braçe.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›