Të na stimulojnë në Teatrin Kombëtar
Alma Hoti është një prej regjisoreve të reja, e shpallur fituese në Festivalin e të Rinjve të edicionit të shkuar, me shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës”. Pas këtij suksesi të parë, ajo është angazhuar në vijim në dy-tri projekte, ndërmarrje personale. Konkursin për regjisorët e rinj ajo e sheh si mundësinë kryesore që një artist i ri të promovohet së pari. Por sipas saj, duhet të ketë një bashkëpunim bashkëveprues me Teatrin Kombëtar, që këta artistë të rinj që spikasin, të sprovohen edhe me projekte madhore. “Gjëja më e mirë që të ndodh në momentin që fiton, është zhurma mediatike. Sa mund të ecë më tej artisti i promovuar, është çështje tjetër. Regjisori është një lypsar i përjetshëm në kërkim të fondeve dhe konkurseve të tilla të japin një stimul, apo një lloj tjetër statusi për të trokitur në dyer e për të kërkuar mbështetje. Sado e aftë të jesh, sot është e pamundur t’i çash ndryshe rrugët. Por unë mendoj se duhet të kthehet në kriter të përcaktuar qartë që fituesit e çmimit të parë të konkurrojnë në projektet e përvitshme që bëhen në Teatrin Kombëtar dhe të stimulohen në këtë drejtim. Sot kjo praktikë nuk ekziston. Në momentin që paraqitesh si regjisore e re për të konkurruar në dhjetë projektet vjetore të TK-së, nga të cilat mund të përzgjidhen 5, juria thuajse nuk të merr në konsideratë”, shprehet Hoti. Sipas saj, sado që flitet se dyert e Teatrit Kombëtar mbeten të hapura për të rinjtë, lëvizjet në institucion janë shumë të pakta. “Po të mos kesh kokëfortësi dhe po të mos e duash këtë profesion, vdes para se të lindësh, sepse te ne sot nuk stimulohesh për të krijuar. Këtë 5-vjeçar të fundit janë diplomuar rreth 40 regjisorë, nga të cilët janë apo s’janë 7-8 që kanë bërë diçka. Të tjerët janë punësuar në televizione. Nëse vazhdohet kështu, me siguri që interesi për të studiuar në Akademinë e Arteve do të bjerë fare”, përfundon Hoti.
#