Shqipëria, 5 pika të reja të kalimit kufitar, dy me Kosovën
• TIRANE - Shqipëria po përgatitet të hapë pesë pika të reja të kalimit kufitar me vendet fqinje, dy prej të cilave pritet të jenë me Kosovën.Lajmi konfirmohet nga burime të Ministrisë së Brendshme, sipas të cilave janë përcaktuar tashmë zonat ku do të vendosen pikat e kalimit kufitar bashkë me personelin e nevojshëm policor për ruajtjen e rendit dhe ushtrimin e kontrolleve të nevojshme. Sipas burimeve nga dikasteri i Brendshëm, mësohet se dy pikat e reja të kalimit kufitar me Kosovën do të jenë në territore të komunave Topojan në Kukës dhe Shishtavec në Peshkopi. Ngritja e dy pikave të tjera të kalimit kufitar me Kosovën pritet të zgjerojë më shumë mundësinë e lëvizjes dhe shkëmbimeve mes dy vendeve. Ndërkaq pika e tretë e re e kalimit kufitar është parashikuar të jetë në territorin e Komunës Tarabosh në Shkodër. Atje do të krijohet një mundësi tjetër për kalimin e ligjshëm të kufirit nga Shqipëria në Mal të Zi dhe anasjelltas. Dy pika të tjera të reja të kalimit kufitar janë parashikuar të ngrihen në skajin jugor të vendit në kufi me Greqinë. Njëra prej këtyre pikë kalimeve do të jetë në Komunën e Pogonit në Dropull, ndërsa pika tjetër e kalimit kufitar do të ngrihet në Konispol. t.s