E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, gjendet në bregdet trupi i një 21- vjeçareje

Në fytin e vajzës ka shenja dhune dhe torture në trup. Dyshime për një vrasje e më pas hedhje të trupit në ujë
Prokurori: Mund të ndodhemi përpara një vrasjeje, e cila mund të jetë bërë mbrëmjen e së hënës
VLORË- Gjendet në brigjet e Vlorës trupi pa jetë i një 21- vjeçareje që ishte larguar dy ditë më parë nga shtëpia. Kufoma është pikasur teksa pluskonte mbi ujë dhe më pas janë konstatuar shenja dhune në fytin e saj si dhe shenja torture në trup. Kjo ka bërë që policia e prokuroria lokale të dyshojnë për një vrasje të ndodhur mbrëmjen e së hënës. Familja e 21- vjeçares Enkelejda Ismaili ka pohuar në polici se vajza kishte ikur nga shtëpia një ditë më parë dhe se ata nuk kishin asnjë dyshim konkret në lidhje me vdekjen e saj. Tashmë mjekët ligjorë janë duke punuar mbi trupin e 21- vjeçares për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes si dhe gjetjen e ndonjë prove që mund t'i shpjerë tek autori. Viktima njihet në qytetin e Vlorës sepse është motra e Elton Ismailit, njërit prej personave që vite më parë morrin peng për qëllime përfitimi nipin e biznesmenit vlonjate Sulo Shehu.
 
Trupi i pajetë i një vajze të re është pikasur vetëm rreth orës 13.00 të ditës së djeshme, kur disa persona që gjendeshin në zonën pranë Jonufrës, kanë vënë re në det trupin e një vajze. Denduria që ka pasur në zonë për shkak të festës, duket se ka ndihmuar në zbulimin e shpejtë të trupit. Menjëherë është njoftuar policia si dhe ambulanca, por prania e kësaj të fundit duket se ka qenë e panevojshme, pasi vajza ka qenë pa jetë. Pas kryerjes së ekspertizave të para, e këqyrjen e vendit, ku është gjetur vajza, trupi i pajetë është përcjellë drejt morgut të spitalit rajonal, për të vijuar procedurat.
 
Pikërisht këqyrja e parë që i është bërë kufomës ka bërë që të lindin edhe dyshimet e para. Fillimisht u mendua për një vetëvrasje të pastër por shenja dhune rreth qafës së vajzës, kanë nxitur dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje dhe më pas trupi është hedhur në det për të humbur gjurmët. Pas gjetjes në ujërat e detit, vetëm disa metra larg bregut, për trupin e pajetë janë ngritur dy versione. I pari që vajza mund të ketë tentuar vetëvrasje, pa përjashtuar edhe ndonjë mjet të përdorur më parë hedhjes në det, e më pas është hedhur në ujërat e detit, për shkaqe që ende nuk dihen. Versioni i dytë, te i cili dyshohet është që mbi 21- vjeçaren të jetë ushtruar dhunë, fillimi i së cilës, ndoshta në një zonë tjetër, e më pas është realizuar hedhja në det e saj. Nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë bërë për të humbur gjurmët e ndonjë krimi të mundshëm.
 
Në lidhje me këtë çështje, prokurori i rrethit, Petrit Çano, tha se "mund të ndodhemi përpara një vrasjeje për shkak të disa elementëve që kanë konstatuar nga këqyrja e deritanishme e kufomës". Sipas tij, në fytin e vajzës u gjetën shenja dhune gjë që përforcon faktin se vajza më parë është vrarë pastaj është hedhur në det. Prokurori Çano bëri të ditur se gjithçka do të zbardhet me përfundimin e ekspertizës mjeko- ligjore. "Duke iu referuar të dhënave të deritanishme, vijoi Çano, vrasja mund të ketë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të së hënës. Kjo bazohet tek gjendja e kufomës, por edhe nga dëshmitë e të afërmve të viktimës, të cilët kanë deklaruar se vajza e tyre ishte larguar nga shtëpia nga pasditja e asaj dite". Në trupin e saj janë gjetur edhe disa shenja rrahjesh e torturash, të cilat sipas hetuesve janë bërë përpara vdekjes. Ata dyshojnë se vajza është torturuar përpara se të vritej e të hidhej në det por kjo pritet të saktësohet vetëm sot kur të kryhet një ekspertizë e dytë nga mjekët ligjorë të kryeqytetit.
 
Në pyetje janë marrë të afërm të vajzës, por ata nuk kanë dhënë dot shpjegime mbi ndonjë shkak të mundshëm vetëvrasjeje, të realizuar nëpërmjet mbytjes, pasi nuk kanë pikasur që vajza të kishte shfaqur shenja stresi, apo të ndonjë gjendjeje që ta kishte shtyrë për të ndërmarrë një hap të tillë. Po kështu janë pyetur dhe të njohur të tjerë, por pa sqaruar dot misterin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›