Champions, Tirana do festë
ADRIATIK BALLA
Tirana u ka dhënë fund përgatitjeve të saj në kuadër të ndeshjes së sotme ndaj kampiones norvegjeze, Stabek, dhe do të tentojë sot në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qermal Stafa” të fitojë me çdo kusht për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.
Të bindur se skuadra është në gjendje të mirë dhe me vullnet për të bërë më të mirën e saj, drejtuesit dhe lojtarët synojnë ta shndërrojnë takimin e sotëm në një festë të vërtetë, që do t’i shkojë për shtat shijeve të 24-herë kampionëve, që luajnë sot një nga duelet e tyre më të rëndësishme, bazuar e gjitha mbi objektivat madhorë që ka klubi dhe kryedonatori Halili. Thuajse në një zë, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilija Lonçareviç ka shprehur besimin e saj se mund t’ia dalin mbanë në këtë sfidë të parë për ta fituar takimin dhe pse jo për të bërë një hap të madh drejt kualifikimit. Sulmuesi Daniel Xhafaj mendon se kjo sfidë është përcaktuese për fatet e kualifikimit, pasi pikërisht në këtë duel të parë Tirana ka mundësi më të mëdha për të shpalosur vlerat e saj dhe për të shpresuar te kualifikimi. “Unë gjykoj se kalimi në turin tjetër nuk është i pamundur. Përkundrazi, skuadra jonë ka shanset e saj dhe do të japë maksimumin për të marrë fitoren sot dhe për të shpresuar te kualifikimi. Kundërshtari është i vështirë, por nuk na tremb. Shanset për kualifikim janë 50:50, por mendoj gjithashtu se kjo sfidë e parë që luhet sot është përcaktuese për kalimin në turin tjetër. E them këtë pasi ne luajmë në fushën tonë, përballë tifozerisë tonë dhe për një sërë treguesish që duket se na favorizojnë në këtë përballje të parë me norvegjezët. Duhet të jemi të kujdesshëm, të japim maksimumin dhe të mos gabojmë në asnjë hap. Është gjithashtu e rëndësishme të mos pësojmë gol në këtë sfidë, pasi në të kundërt do të komprometonim keqas objektivin për ndeshjen e kthimit. Me pak fjalë ne duhet të fitojmë sot dhe unë kam besim se mund t’ia dalim mbanë. Xhafaj o të japë maksimumin e tij në fushë. Është në formë, ndihet mjaft mirë dhe e ka të qartë detyrën e vënë nga trajneri. Shpresoj shumë të shënoj e të ndihmoj ekipin të marrë maksimumin ndaj Stabekut”, tha Xhafaj, që sot do të jetë titullari i vetëm në sulm. Ndërkohë, mbrojtësi nigerian i Tiranës, Abraham Alechenu, është gjithashtu një nga pikat e forta të skuadrës tonë kryeqytetase në këtë sfidë. Detyrë e tij nuk do të jetë vetëm mbrojtja e krahut të majtë, por edhe inkursioni në krah në mbështetje të sulmit, duke fuqizuar kualitetin e Sefës në mesfushë, që sot do të ketë barrën e rëndë të zëvendësimit të mesfushorit të larguar Ansi Agolli “Ne si skuadër kemi dhënë prova që dimë të nxjerrim me sukses ndeshjet e rëndësishme. Stabeku është kundërshtar i fortë dhe ne e kemi të qartë këtë, por shpresoj të dalim në lojën tonë e të fitojmë qoftë dhe minimalisht këtë duel të parë me ta. Gjithçka është e mundur dhe besoj se skuadra do ta fitojë takimin e sotëm. Ne duhet të bëjmë të njëjtën paraqitje që bëmë dhe ndaj Milanit tetorin e vitit të shkuar, ku falë një angazhimi serioz e të fuqishëm arritëm të fitonim. Të njëjtën gjë mund të shënojmë dhe sot. Kemi kualitet, forcë dhe mbështetje, kështu që le të shpresojmë se do ta fitojmë këtë përballje”, tha shkurt Abraham.