E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: PD po transferon sherrin e brendshëm në institucionet e shtetit

Rruga Durrës-Kukës ka qenë sërish kryefjala e diskutimeve të djeshme në sallën e Kuvendit mes opozitës dhe mazhorancës. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka replikuar me nënkryetarin e grupit të PS-së, Erjon Braçe, pasi ky i fundit gjatë diskutimit të tij, ka theksuar se akuzat për këtë rrugë nuk janë politike, por penale. Braçe ka akuzuar mazhorancën se po ndërhyn politikisht ndaj prokurorisë, duke i kërkuar deformimin e hetimit dhe tjetërsimin e gjykimit me shantazh e kërcënim prokurorësh nga ana e Sali Berishës, si i interesuari kryesor në këtë çështje. Braçe ka kujtuar një nga premtimet e pa mbajtura të Kryeministrit Berisha për luftë ndaj korrupsionit në programin qeverisës 3 vjet e gjysmë më parë, i cili ka deklaruar se ndëshkimi i korrupsionit do të jetë një përkushtim i përhershëm i qeverisë. Duke u ndalur te sulmi në mënyrë të organizuar i mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës për këtë çështje, Braçe tha se "ne ndiejmë keqardhje jo për personat që u përfshinë në të, por për krizën permanente të grupit të Sali Berishës në pushtet dhe institucionit të Presidentit, duke transferuar sherrin banal primitiv brenda PD-së, në nivelin më të lartë të shtetit". Gjithashtu Braçe tha se PD-ja e ka sulmuar prokurorinë dhe prokuroren, për shkak të krizës permanente dhe kjo, sipas tij, bëhet pasi "mazhoranca e do korrupsionin, e mbron korrupsionin, e ka në qeverisje korrupsionin, të cilin nuk e drejton një mazhorancë e tërë, por vetëm një familje". Ndërsa ministri i Transporteve, Olldashi, i ka kundërshtuar pretendimet e deputetit Braçe, duke theksuar se opozita po spekulon në lidhje me këtë rrugë. Sipas Olldashit, procedura e tenderimit ka qenë e hapur dhe asnjë nga kompanitë pjesëmarrëse nuk ka bërë ndonjë ankesë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›