Braçe: PS duhet të udhëheqë një front të gjerë kundër Berishës
Një nga drejtuesit e Partisë Socialiste, Erjon Braçe, i përfshirë në debatin rreth koalicionit të ardhshëm opozitar thotë se është pro zgjerimit të koalicionit jo vetëm me parti të vogla e të mëdha, por dhe me individë dhe çdo faktor opozitarë. Duke shprehur mendimin e tij në një nga rrjetet sociale, Braçe ka deklaruar se ky front duhet organizuar me idenë që më pas të ndajnë pushtetin.
Unë mendoj se PS duhet te udhëheqë një front te madh kundër regjimit te Berishës. Koalicioni qeverisës vjen me pas. Se pari bashkim me çdo parti, me çdo organizate-politike apo interesi, me çdo grupim -social apo etnik, me çdo shqiptar te varfër, te mesëm apo te pasur, te gjithë bashke kundër regjimit te Sali Berishes, tha Braçe.
Ky është zëri i parë racional që vjen prej Partisë Socialiste lidhur me konceptin e saj për opozitën. Pak ditë më parë një nga kritikët e zotit Rama, Ben Blushi sugjeronte një fushatë pa aleatë, duke spekuluar me frazën aleancë me qytetarin, një slogan ky i fushatës së fundit të Berishës.
Aleatët tradicional të Partisë Socialiste po kërkojnë të dinë strategjinë e kësaj partie për koalicionin dhe kanë shprehur rezervat e tyre. Berisha ndërkohë është treguar i gatshëm t’i miklojë ata për t’iu bashkuar frontit antiopozitar.