Braçe: “Paratë e shpërblimeve për pensionistët shkuan për 300 makina qeveritare”
Tenderët korruptivë të qeverisë po thellojnë krizën ekonomike në familjet shqiptare
Borxhi i buxhetit të shtetit rikonfirmon edhe një herë boshatisjen e arkës, duke thelluar krizën ekonomike në vend. Qeveria shqiptare po merr borxh nga bankat e nivelit të dytë me interes në rritje dhe, si pasojë, duke rrezikuar stabilitetin makroekonomik dhe thellimin e krizës. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi dje se qeveria merr borxh për faturën e borxheve elektorale që u përpinë në skemën kriminale të Sokol Olldashit, përbërë nga qindra kantiere vizuale, por pa vepra. Sipas tij, qeveria merr borxh edhe për faturën e tenderëve të korruptuar, ku zyrtarët e qeverisë kanë hisen e tyre si kosto shtesë në çdo tender. Në këtë situatë tejet të nderë ekonomike, Braçe deklaroi se qeveria blen mbi 300 makina për një sërë institucionesh.
Deklarata
Në një përpjekje për të dhënë një tablo sa më të qartë të krizës ekonomike në vend që ka gjunjëzuar buxhetin e shtetit, por edhe ato familjare, deputeti Braçe deklaroi se kryeministri Berisha po e zhyt vendin në borxh për shkak të faturave të veprimtarisë korruptive të ministrit të Transportit Olldashi dhe tenderëve korruptivë që ai zhvillon. Braçe theksoi se qeveria merr borxh jo për rrogat e dhjetorit, as për të kompensuar gjoja shpërblimet e përgjysmuara, as për të paguar pagat e prapambetura për më të varfrit, por për faturën e borxheve elektorale që u përpinë në skemën kriminale të Olldashit, të përbërë nga qindra kantiere vizuale, por pa vepra. Ai vijoi se qeveria merr borxh për faturën e tenderëve të korruptuar, ku zyrtarët e qeverisë kanë hisen e tyre, si kosto shtesë në çdo tender. Sipas tij, guvernatori i BSH-së është kthyer në shami mode në xhepin e kostumit të shtrenjtë të kryeministrit. “Dje, qeveria dhe Sali Berisha vendosën të ndryshojnë nivelin e deficitit në buxhet, duke konfirmuar edhe një herë se arka e shtetit është bosh, duke shkelur ligjin ‘Për buxhetin’, duke anashkaluar Kuvendin, si organi i vetëm që ndryshon kufirin e financimit të deficitit dhe borxhit publik”, - u shpreh Braçe.
Korrupsioni
Si për të ilustruar morinë e akuzave drejtuar qeverisë, deputeti socialist tregoi njërën prej faturave ku qeveria, sipas tij, shpërdoron paratë në mes të krizës ekonomike. Sipas Braçes, qeveria blen mbi 300 makinave për një sërë institucionesh, në 16 lote, me vlerë 5.3 milionë USD brenda 50 ditëve, ndërsa më 10 shtator, Agjencia e Prokurimeve Publike ka pezulluar procedurën e prokurimit dhe ka nisur hetimin. Më tej Braçe sqaron se më 29 tetor, pas hetimit, APP ka vendosur anulimin e procedurës së tenderimit për lotin 1, loti më i madh në tender, vlera 4 milionë USD, pasi fituesi nuk plotësonte kushtet e garës, pra qe i paligjshëm, ndërsa më 23 nëntor APP shpall fitues po të njëjtin tender të paligjshëm. Deputeti socialist deklaroi se lidhur me këto abuzime duhet të bëhet një hetim transparent, pasi nevoja e qeverisë për të blerë mbi 300 makina për administratën, duke nisur nga Policia, ka qenë e pajustifikuar për shkak të krizës ekonomike financiare. “Tenderi për lotin 1 është kryer në kushte të theksuara pa ligjshmërie”, - ka nënvizuar Braçe. Ai vijoi më tej duke sqaruar se kriteret e tenderit kanë kufizuar garën, ndërsa kriteret teknike janë hartuar qëllimisht tejet selektive, duke shmangur konkurrencën. Sipas tij, APP ka urdhëruar lidhjen e kontratës më datë 23 nëntor, kur, sipas kërkesave të tenderit, më datë 29 nëntor fituesi duhet të sillte pranë kontraktorit 279 makina të kompletuara. Braçe deklaroi se para dy ditësh në Portin e Durrësit kanë ardhur 79 makina, ndërsa vlera e penalitetit për çdo ditë vonesë është 14 milionë lekë në ditë. “Ky është skandali i radhës i Sali Berishës, i paguar gjithnjë si kosto korruptive nga paratë e taksave të qytetarëve. I munguar për qytetarët si paga e shpërblime, por jetik për Familjen që na qeveris si pasuri e madhe e paligjshme”, - u shpreh deputeti socialist Braçe, duke shtuar se “pikërisht për këtë, tani që kazani i qelbur i Ministrisë së Brendshme për të larë hesapet mes tyre u hap, ne kërkojmë thellimin e hetimeve edhe për këtë tender me vlerë kaq të madhe”.
25 Dhjetor 2009