Presidenti Topi uron ftesën e Krishtlindjes: “Të dëshmojmë vlerat tona më të mira”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi dje përzemërsisht të gjithë besimtarët shqiptarë të krishterë, kudo ndodhen, përmes një mesazhi dërguar për festën e Krishtlindjes, kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastas Janullatosit dhe Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita.
Në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës, me urimin më të mirë për të gjithë shqiptarët, bëri thirrje që të dëshmojmë vlerat tona më të mira si popull. “Në këtë ditë të shenjtë, kur çdo besimtar i devotshëm i krishterë ripërjeton lindjen e një bote të re të besimit dhe të mbizotërimit të mirësisë, dashurisë e mirëkuptimit, me rastin e Krishtlindjes, Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta! Nëpërmjet Jush u përcjell të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë kudo ndodhen urimin që drita e shpresës të ndriçojë jetët e tyre përgjithnjë, paqja e shpirtit t’i shoqërojë çdo çast dhe që besimi tek triumfi i mirësisë, vëllazërisë, tolerancës, ndihmesës dhe solidaritetit human t’i udhëheqë në rrugëtimin drejt lumturisë e begatisë familjare dhe njerëzore. Krishtlindjet janë një frymëzim dhe burim mendimi e urtësie për të gjithë ne që sot më shumë se kurdo t’i gjendemi pranë atyre që përjetojnë vështirësi, sëmundje e dobësi njerëzore, për t’u dhuruar momente qetësie, gëzimi, dashurie e për t’u transmetuar mesazhe shprese e besimi për një jetë dhe të ardhme më të sigurt e më të mirë. Në këtë ditë feste është momenti për të dëshmuar virtytet dhe vlerat tona më të spikatura si njerëz, si popull”, - ka uruar Presidenti i Republikës.
p
25 Dhjetor 2009