Braçe: “Përsëri borxh qeveritar në kurriz të shqiptarëve”
Autori i Lajmit: RedaksiaRritja e deficitit buxhetor, shkaktuar nga borxhet e marra nga qeveria është cilësuar nga Partia Socialiste si një tjetër tregues i boshatisjes së arkës së shtetit dhe krizës që ka kapur qeverisjen aktuale në nivelin ekonomik. Sipas deputetit Erjon Braçe, këto borxhe të marra nga Qeveria duke shkelur Kushtetutën, ligjin për buxhetin e shtetit dhe duke anashkaluar Kuvendin, do të përdoren për të mbushur gropat e krijuara nga korrupsioni marramendës i qeverisë Berisha. “Qeveria dhe Sali Berisha vendosën të ndryshojnë nivelin e deficitit në buxhet duke konfirmuar edhe një herë se arka e shtetit është bosh; duke marrë përsëri, gjithnjë e më shumë, para borxh; duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin “Për Buxhetin”; duke anashkaluar Kuvendin, si organi i vetëm që ndryshon kufirin e financimit të deficitit dhe borxhit publik”, - tha deputeti socialit. Braçe shtoi se po blihet borxh me interes në rritje e tejet të lartë, nga bankat e nivelit të dytë, rritja e depozitave të parave të qytetarëve në to është ngasja e pafund e Sali Berishës për të marrë tamam aty para për arkën e shtetit bosh, duke rrezikuar stabilitetin makroekonomik e financiar te vendit, thellim të krizës me pasoja të rënda për çdo familje. Por nën heshtjen skandaloze të guvernatorit, që është kthyer në shami mode në xhepin e kostumit të shtrenjtë të Sali Berishës. Dje, Qeveria dhe Sali Berisha vendosën të marrin sërish borxh: Jo për rrogat e dhjetorit, as për të kompensuar gjysma gjasme shpërblimet, as fare për të paguar pagat e prapambetura për më të varfrit: invalidët, të papunët”, - tha Braçe. Ai bëri publike një faturë konkrete: Blerjen e mbi 300 makinave për një sërë institucionesh, në 16 lote, me vlerë 5.3 milionë USD, brenda 50 ditëve.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009