E Diel, 1 Nëntor 2026

Meksi: “Qeveria, politikë të papërgjegjshme me buxhetin”

Autori i Lajmit: Redaksia“PS tërheq vëmendjen e opinionit publik se mazhoranca në vend të masave për frenimin e rënies të mëtejshme ekonomike, ka ndërmarrë një sulm të paprinciptë ndaj kujtdo që është në oponencë me të. Kështu ka deklaruar dje deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, e cila shtoi se opozita mendon se çdo vonesë në pranimin e gjendjes reale, si dhe mosmarrja e masave përkatëse efektive të cilat PS i ka formuluar në Rezolutën e saj, do të ketë një kosto akoma më të madhe për ekonominë dhe popullin shqiptar. “Në Rezolutën e fundit, të aprovuar në Asamblenë e Partisë Socialiste të Shqipërisë për ekonominë në krizë, është shprehur qartë shqetësimi për “gjendjen e rënduar ekonomike dhe financiare të vendit”. Për ne socialistët, në kushtet e ekonomisë së tregut, nuk ishte fatalitet kriza ekonomike, por i rëndësishëm ishte qëndrimi aktiv ndaj efekteve të saj për të cilën me përgjegjësi dhe profesionalizëm opozita ka paralajmëruar prej muajsh. Prandaj në rezolutën e saj PS, thekson se realiteti i sotëm i vështirë ekonomik nuk është më si rrjedhojë e krizës globale, por pasojë e keqqeverisjes. PS si forcë serioze politike në këtë situatë mban një qëndrim aktiv, duke shpallur konkretisht disa nga masat më kryesore antikrizë”, - tha Meksi. Sipas saj mungesa e vizionit për daljen nga kjo gjendje e rëndë ekonomike nuk mund të zëvendësohen me atakimin e opozitës dhe të kujtdo që kërkon rrugëzgjidhjen e problemeve ekonomike me të cilat po ndeshet vendi. Për PS-në pohoi ajo, edhe qëndrimi i LSI-së është po njësoj i papërgjegjshëm dhe po kaq i kritikueshëm sa i partnerit të saj në qeverisje.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›