Bode: Porti i Shëngjinit për Kosovën? Do shqyrtojmë hapësirat ligjore
Ministrat kosovarë i kërkuan ministrit të Financave dhe qeverisë shqiptare që të shikojnë mundësitë për krijimin e hapësirave të investimeve në Portin e Shëngjinit, i cili do të marrë një dimension të ri me përfundimin e rrugës Durrës-Kukës. "Në emër të qeverisë së Kosovës do të kërkonim që të na krijohej hapësira për të pasur një pjesë në këtë port dhe për të bërë investime si qeveri, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve nga Porti i Shëngjinit, pas mundësive të reja që do të krijohen me inaugurimin e rrugës", tha ministri kosovar i Financave, Ahmet Shala. Ministri i Financave, Ridvan Bode, shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të gjetur rrugët ligjore për krijimin e kësaj hapësire, duke respektuar edhe kuadrin ligjor evropian. "Qeveria po i përqendron investimet në porte, pasi me përfundimin e investimeve të rëndësishme në rrugë do të rritet nevoja për shtimin e kapaciteteve të këtyre porteve", tha Bode. Në takimin e zhvilluar dje në Ministrinë e Financave merrnin pjesë edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, dhe ambasadori i Prishtinës në Tiranë, Gazmend Pulaj.