Braçe: Presidenti po bllokon Kushtetuesen
• Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, ka denoncuar Presidentin e Republikës, i cili ende nuk ka bërë të mundur kryerjen e betimit të anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.Sipas tij, "nuk ka asnjë arsye, që një gjykatëse, e dekretuar nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të mos marrë detyrën, prej të paktën, 10 ditësh". Vitore Tusha, e cila ka marrë pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë, do të zëvendësojë Kristofor Peçin, mandati i të cilit ka mbaruar që prej 15 muajsh. Sipas Braçes, lënia akoma në detyrë e Peçit me zvarritjen e betimit të Tushes, lidhet direkt me çështjen e shkarkimit të Theodhori Sollakut, për të cilën Gjykata Kushtetuese është ende në shqyrtim. Ne jemi të shqetësuar, që Presidenti i Republikës, vazhdon ta kërkojë këtë votë, për një sërë çështjesh që janë në shqyrtim, duke filluar që nga çështja ku së fundi mori pjesë z. Peçi në gjykimin e saj, që nga çështja e antikushtuetshmërisë së ligjit "Për gjobat", deri tek çështja që me sa duket impenjon presidentin në një veprim të tillë, që janë çështjet e gjykimit, mbi procedurat e shkarkimit të ish-prokurorit të Përgjithshëm të Republikës z. Theodhori Sollaku dhe brenda tyre dhe një sërë çështjesh të tjera", tha Braçe. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, për të njëjtën vonesë procedure nga ana e ish presidentit Moisiu, Bamir Topi, në krye të grupit parlamentar demokrat ka shprehur "fyerje, sharje, shpifje, akuza deri në grusht shteti, përkundrejt presidentit".