Dritan Prifti: Politikat e qeverisë për të rritur punësimin, inekzistente
• Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, ka akuzuar qeverinë se me largimet masive nga puna të 1700 punonjësve të sektorit të naftës rrit varfërinë e familjeve të tyre.Sipas tij, politikat e qeverisë për të rritur punësimin në vend janë inekzistente. "Duam të denoncojmë sot vendimin më të fundit të qeverisë shqiptare për largimin nga puna të rreth 1700 punonjësve në industrinë e naftës, dhe përcaktimin e tyre që të dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të ARMO-s dhe të ALPETROL-sh.a Patos", tha Prifti. Sipas tij, largimet në përmasa të tilla bëhen në një kohë që papunësia është rreth 50 për qind. "Kjo ndodh në një vend ku papunësia është rreth 50%. Largimi nga puna e një numri të madh njerëzish në këtë qytet do të sjellë një situatë të papërballueshme sociale për gjithë këtë zonë", u shpreh Prifti. Nënkryetari i LSI-së kërkoi nga qeveria që punonjësit e sektorit të naftës të marrin statusin e naftëtarit, pasi kanë investuar shumë vite në këtë sektor. "Unë mendoj se në këtë rast, kur bëhet fjalë për largimin e këtyre punonjësve, qeveria duhet të investohet menjëherë për të fituar statusin e naftëtarit". "Kjo është një industri ku kanë punuar me mijëra punonjës në vite dhe për këtë arsye duhet patjetër që kjo kategori të fitojë statusin e naftëtarit, ose edhe të shikohet mundësia që ata të jenë aksionarë, duke i dhënë atyre një përqindje të caktuar të aksioneve për kontributin e tyre për vite me radhë", tha Prifti.