“Kadri Hazbiu mbante lidhje të fshehta me Dhora Lekën”
• Një dosje gjyqësore, sado e plotë nuk mund t’i rrekë të gjitha. Ca më tepër një dosje si ajo e procesit të krerëve të Sigurimit të Shtetit e vitit ‘83, e zbardhur së fundi për herë të parë nga “Panorama”.Haxhi HaxhiajPërtej letrave të arkivit sekret, është një dosje tjetër, ajo e kujtimeve të bashkëkohësve që mendoj se po të hapet do ta bëjë më të plotë profilin e akuzës. Rreth 30 ishte numri i dëshmitarëve në procesin e Kadri Hazbiut. Në qindra fletë janë zbardhur rrëfimet e tyre. Megjithatë, fare pak, do të thosha unë, duke pasur parasysh numrin e madh të bashkëpunëtorëve, kolegëve, vartësve dhe njerëzve të tjerë me të cilët Kadri Hazbiu punoi nga afër për 25 vite me radhë në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme. Unë jam njëri ndër ta, edhe pse jo me ndonjë detyrë të rëndësishme në organet e Sigurimit. Pjesën më të madhe të ngjarjeve të zbuluara në dosjen gjyqësore të vitit ‘83, i kam njohur megjithëse jo nga afër, pasi kam qenë oficer, shef i seksionit të Sigurimit në organet e Policisë së Fshehtë. Nga aq sa kam pasur rastin ta njoh Kadri Hazbiun, më duken jo bindëse argumentet e tij në këtë proces maratonë. Gjithçka në reagimin e tij, më krijon përshtypjen e përpjekjeve për t’u shmangur nga përgjegjësitë. E vërteta mendoj se ka qenë krejt ndryshe, pavarësisht nga sa dialogohet në sallën e gjyqit. Kadri Hazbiu nuk ishte një politikan i zakonshëm i kupolës komuniste, por një anëtar i Byrosë Politike, ministër i Brendshëm për disa vite me radhë, një nga figurat më të larta të partisë e të shtetit, i cili pas vdekjes së Mehmet Shehut u përfol si kandidati më i mundshëm për t’u bërë kryeministër i vendit. Gjithsesi, dosja e botuar te “Panorama” u bë shkas për të sjellë nga kujtesa disa nga përjetimet e mija në kontakte me këto figura... Zarfi i Dhora Lekës në zyrën e Kadri HazbiutGjatë ballafaqimit në procesin gjyqësor, kur i çuan dëshmitar Dhora Lekën, e cila ishte dënuar qysh në vitet ‘50 si agjente e zbulimit jugosllav, Kadri Hazbiu me përçmim u shpreh “Keni të tjerë si Dhora Leka të m’i sillni këtu”. Jam çuditur kur e kam lexuar këtë qëndrim të tij. Them jam çuditur, pasi unë në një rast kam qenë dëshmitar i komunikimit të fshehtë të Kadri Hazbiut me Dhora Lekën. Ka qenë periudha kur shërbeja në seksionin e sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Fierit. Më kujtohet nga ajo kohë një ngjarje që më ka vënë në mendime për shumë vite. Ka qenë viti ‘71. Ishte periudha kur unë studioja në shkollën e partisë me korrespodencë. Një të shtunë të muajit shtator, teksa mbreëita në shtëpi nga Tirana, më njoftuan nga dega e brendshme se duhet të shkoja në zyrë. Shkova menjëherë në degë. Takova Besim Selitën që ishte kryetar i degës. Besimi më tha se, kur të shkoja në Tiranë duhet të çoja një zarf sekret që duhet t’ia jepja në dorë ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Porosia e mëtejshme e tij ishte se në rast se nuk do ta takoja Kadri Hazbiun personalisht, zarfin nuk duhet t’ia jepja njeriu tjetër, por duhej ta ktheja sërish në degë. Sakaq nxori një plikon nga sirtari i tavolinës së punës dhe pasi ma zgjati më tha që deri sa të nisesha në Tiranë ta mbaja në kasafortën sekrete të zyrës. Kaq, vetëm kaq ishte takimi me kryetarin. Diskutimet e kërshëria për më tej, ishte e tepër. Mënyra si mu shpjegua përmbajtja e letrës për Kadri Hazbiun, më fiksoi mendimin se kishim të bënim me një problem jo të zakonshëm. Para se të ndaheshim atë mbrëmje, Besimi me një merak të veçantë më kapi për krahu dhe më tha: Nëse të pyet ministri çfarë është ky zarf, i thuaj se ma ka dhënë kryetari, është një letër e Dhora Lekës për juve. Nëse këmbëngul më tej se çfarë ka brenda ky zarf, i thuaj se Dhora Leka ka bërë disa kompozime dhe kërkon ndihmën tuaj për t’i realizuar. Në fund Besimi më porositi që pasi t’ia jepja ministrit në dorë, të ma kthente zarfin me firmën e tij, për të konfirmuar kësisoj marrjen në dorëzim. Dhora Leka prej vitesh vazhdonte të kryente dënimin e internimit në një fshat të rrethit të Fierit. Ajo jo vetëm për ne punonjësit e degës, por për mbarë opinionin e Fierit, ishte e njohur si një e dënuar për aktivitet agjenturor në shërbim të UDB-së. Sidoqoftë, në këtë rast kisha të bëja me një detyrë të dhënë nga eprori dhe duhet ta realizoja patjetër, madje me përpikmërinë më të madhe. Pasi ta përmbushja atë, duhet të raportoja. Dhe në fakt kështu bëra. Të hënën herët në mëngjes, shkova në zyrë, hapa kasafortën, mora zarfin e vulosur dhe u nisa në Tiranë. Me të mberritur u paraqita te hyrja e Ministrisë së Brendshme. Për fatin tim të mirë, oficer roje qëlloi një i njohuri im. Rrapo Demo e quanin. Ai ishte nga Drizari i Mallakastrës dhe bashkë ishim njohur që në vitin 1968, në kohën kur Rrapo Demua ishte komandant i kampit të të burgosurve në Cërrush. Sa e takova i thashë se kam një pliko urgjente që ma ka dhënë kryetari i degës për t’ia dhënë në dorë ministrit të Brendshëm. Mirë, më tha ai dhe më ofroi një karrige për t’u ulur. Në çast mori dikë në telefon, plotësoi fletëhyrjen në emrin tim dhe më dha një polic për të më shoqëruar për tek zyra e ministrit. Në paradhomën e Kadri Hazbiut do të rrija vetëm pak çaste. Me sa dukej atë e kishin lajmëruar. Kur u futa brenda në zyrën e tij ai u çua në këmbë dhe më ftoi të ulesha. Ishte vetëm. Hë, më tha me një ton dashamirësie, pse ke ardhur, çfarë më ke prurë. Në këtë kohë nxora zarfin e madh dhe ja dhashë duke e sqaruar se ma kish dhënë kryetari i degës për të. Çfarë ka brenda, pyeti Kadriu teksa zgjati dorën për ta marrë. Shoku Besim, u përgjigja unë me një lloj emocioni, më tha se është një letër e Dhora Lekës për juve. Çne unë me Dhora Lekën, pa ministri në formë habie. Në të, e sqarova unë, janë disa krijime të Dhora Lekës që siç më kanë thënë ja u drejton juve se nuk ja lejojnë për t’i botuar. Kadri Hazbiu hapi zarfin, nxori prej aty letrat e shumta që ishin brenda dhe pasi i lexoi shkarazi, u drejtua nga unë: Mirë, këto i pashë, kishe ndonjë hall tjetër? Pasi i thashë se isha gjendur aty vetëm për atë, ai u çua në këmbë për të më përcjellë. Teksa zgjata dorën për t’u përshëndetur, i thashë me një lloj droje se kryetar Besimi më kishte porositur që t’i ktheja zarfin me firmën e ministrit. Aty për aty ai vuri buzën në gaz dhe u drejtua nga unë: Nuk më njeh ti mua. Jam Kadri Hazbiu, ministri yt e i Besimit, prandaj ik e i thuaj Besimit se detyrën e zbatove dhe zarfin nuk ma dha Kadri Hazbiu. Këto ishin fjalët e fundit të tij. Më hodhi dorën mbi supe dhe pasi hapi derën përsëriti përshëndetjen, mirupafshim! Ika duke marrë më vete kërshërinë se çfarë mund të kishte brenda ai zarf misterioz. Fakti që atë aty e dërgonte një njeri që ne në Fier e ruanim dhe përgjonim në çdo lëvizje, e bënte edhe më misterioze përmbajtjen e mesazheve që i shkruante Kadri Hazbiut, Dhora Leka. Më vonë do të merrja vesh nga shokë të mi të afërt që Kadri Hazbiu edhe në raste të tjera do të mbante një korrespodencë të fshehtë me Dhora Lekën.Kadri Hazbiu ka zhdukur Sali OrmëninPër aq vite sa kam punuar në sektorin e Sigurimit kam pasur rastin të njihem me dhjetëra ngjarje që akoma nuk janë zbardhur, madje edhe tani në kohën e demokracisë. Teksa kam ndjekur me vëmendje dosjen e gjyqit të Kadri Hazbiut të botuar së fundi në gazetën “Panorama”, çuditem si kanë mbetur pa u denoncuar në të dhjetëra ndodhi e fakte që ish- agjenturistët e kohës së komunizmit i dinë. Me këtë rast desha të kujtoj njërën prej tyre: Mënyrën misterioze të zhdukjes së Sali Ormënit, ish-kolegut të Kadri Hazbiut qysh nga vitet e luftës!Kadri Hazbiu dhe Sali Ormëni, si dy nga kuadrot kryesore të Brigadës së Pestë Sulmuese ndanë me njëri-tjetrin detyrën e komisarit dhe komandantit të batalionit të dytë të kësaj njësie. Sali Ormëni, ky burrë trim, me shtatë plagë në trup, u zgjodh në dy legjislatura deputet i Kuvendit Popullor. U gradua kolonel dhe u emërua zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Megjithëse i sakatuar nga plagët e luftës, ai ju përvesh punës me mish e shpirt, me idealizëm të lartë, duke mos kursyer asgjë nga vetja për detyrën dhe profesionin. Kjo paraqitje dinjitoze do ta bënte Sali Ormënin një nga emrat e spikatur të drejtuesve të kohës, por njëherazi dhe një figurë popullore. Ishte kjo shfaqje e tij që do të zgjonte xhelozi e smirë te Kadri Hazbiu e shokët e tij të afërt.Koha kur drejtoi Sali Ormëni organet e sigurimit pas çlirimit të vendit (1945-1958) kishte përballë sfidën e madhe për të eliminuar bandat dhe diversantët e shumtë të hedhur në territorin shqiptar nga ajri, deti dhe nga toka. Duhej një punë e jashtëzakonshme, drejtuese e organizuese për t’i goditur e shpartalluar ato në kohë, duke bërë veprime e kombinacione agjenturore-operative, duke ndërtuar operacione të shpejta e efektive në mënyrë që kostoja të ishte sa më e vogël. Pikërisht në pikun e kësaj veprimtarie, kur Sali Ormëni po fitonte dita ditës popullaritet të madh, dikush do të mendonte e do të vepronte pas shpine për ta frenuar e për ta kryqëzuar atë. Kjo kundërgoditje tinëzare padyshim nuk kishte si të ndodhte së paku pa dijeninë e Kadri Hazbiut. Stuhia ndaj tij do të niste me ngritjen e alibive të ndryshme, me akuza pa fakte, me pëshpëritje nëpër korridore, me opinione djallëzore në zyrat e të mëdhenjve. E në pikun e kësaj fushate të pabesë, do të vinte lajmi tinëzar se Sali Ormëni kishte vrarë veten (!). Pati zëra qysh atëherë se Sali Ormënin e vranë fshehtas. Diku-diku nën zë u përfolën dhe emrat e atyre që zhdukën Sali Ormënin. Koha më vonë vërtetoi çfarë kishte ndodhur me të.Për këtë të vërtetë, veç të tjerave të bind fakti që asnjëherë nuk u bë këqyrja e vendit të ngjarjes, nuk u bë autopsia e trupit të pajetë, nuk u regjistrua asnjë dëshmi për rrethanat e aktit të vetëvrasjes, madje Sali Ormënit nuk i dihet as sot e kësaj dite vendvarrimi. Dora e zezë në këtë rast me një gur vrau dy zogj: Eliminoi Sali Ormënin dhe i hapi rrugën Kadri Hazbiut, i cili si mik i Mehmet Shehut ngjiti menjëherë shkallët, duke u bërë zëvendësministër, ministër i Brendshëm e më vonë dhe anëtar i Byrosë Politike...Tërbimi i Mehmet ShehutKam pasur rastin të takohem një herë me Mehmet Shehun. Ishte koha kur ai ishte në shkëlqimin e tij. Rasti e kishte sjellë një mbrëmje të ishte mysafir në Fier. Teksa kishte mbaruar axhendën në qytet, vendosi që atë natë të flinte aty. Asokohe unë mbuloja shtëpinë e pritjes, ose më saktë sigurinë e saj. Mehmet Shehu i shoqëruar nga Fiqretja dhe dy djemtë, erdhën për të fjetur rreth orës 23:00. Mehmeti me njërin nga djemtë u fut në njërën nga dhomat e rezervuara për anëtarët e Byrosë Politike. E shoqja me djalin tjetër u fut në dhomën ngjitur. Sakaq aty afër filloi të lehte në qen. Mehmet Shehu doli menjëherë nga dhoma dhe thirri Gilo Lamen, përgjegjësin e grupit të shoqërimit, duke e urdhëruar për të marrë masa për të pushuar qenin që e linte pa gjumë. Prej aty ky urdhër do të vinte tek ne, oficerët e degës së Punëve të Brendshme. Gati si për një situatë luftarake, dolëm natën nëpër qytetet për të gjetur shtëpinë ku lehte qeni. Vetëm për pak kohë ndaluam te shtëpia e oficerit Adem Papuçiu, i cili mesa dukej e kishte lënë qenin pa ushqyer dhe detyrohej të dëgjonte të lehurat e tij. I thamë si ishte puna dhe shkuam bashkë me të te kolibja e qenit, duke i dhënë ushqim. Aty për aty qeni pushoi. Ne u nisëm për të raportuar te kryeministri. Ende pa mbërritur mirë, qeni filloi të lehte sërish, madje këtë radhë më me ulërimë. Mjaftoi kaq që Mehmet Shehu të shpërthente gjithë tërsëllimë. Tërbimi i tij kishte çuar në këmbë gjithë grupin e shoqërimit dhe të shoqen, Fiqretin. Teksa afrohej mesnata, urdhëroi për t’u nisur për në Tiranë. Madje, me zë të fortë dhe fjalë fyese për ato të lehura qeni. Nejse, sa me ndërhyrjen e të shoqes e të Gilos që e kishte mik të afërt, u qetësua disi dhe atë natë fjeti aty. Po historinë e qenit nuk e harroi. Të nesërmen në mëngjes qortoi për të sekretarin e Parë, Piro Dodbibën, duke i thënë se duhet marrë seriozisht me këtë punën e qenve që lehin natën. Aty për aty ndërhyri Fiqretja si për të larguar bisedën nga qentë. Po Mehmeti u nxeh më tepër dhe ju kthye asaj gjithë tërsëllimë: Ik moj ti se ato janë punët e qeverisë e nuk janë për ty!...Babëzia e bodigardëveMjaft nga prapësitë e ish-krerëve të Sigurimit dhe udhëheqësve të tjerë që u dënuan në gjyqin e gushtit ‘83, bëheshin nga shoqëruesit e tyre. Ata ishin nga njerëzit më të besuar të kastës. Kam pasur rastin të denoncoj që në atë kohë mjaft nga marrëzitë e këtyre “trimoshëve”, por qënia e Kadri Hazbiut ministër i Brendshëm, i mbulonte të gjitha. Mbaj mend babëzinë e bodigardëve të Beqir Ballukut kur vinin me shefin e tyre në Fier.Rasti i parë: I pranishëm në një stërvitje ushtarake ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në largim e sipër kishte porositur shoqëruesit që në stanin më të afërt të merrnin një dash. Dhe ata ashtu bënë. Morën një gaz tip “BÇ” kineze, rrëmbyen dashin më të madh dhe e futën me forcë në sediljet e pasme të tij. Beqir Balluku u kishte thënë se i duhej për të lozur me të djali i vogël (!)Rasti tjetër: Ka qenë viti ‘71 kur Beqir Balluku ishte mysafir në zonën e Patosit. Në kthim bodigardët e tij shkuan te lëmi i lajthive dhe morën rreth 200 kilogram, gjithnjë me porosi të shefit, se i duheshin atij. Lajthitë atëherë ishin të destinuara vetëm për eksport. Ata i morën dhe ikën pa e prishur fare terezinë. Më raportoi për këtë operativi i zonës Dhori Zarka dhe me thënë të drejtën u indinjova.Ishte momenti që për këtë padrejtësi duhej të vihej në dijeni udhëheqja. Asokohe unë isha një idealist dhe nuk mund të besoja që të tilla gjëra mund të bëheshin nga krerët e lartë të partisë e të Shtetit. Dhe i shkrova menjëherë një letër Kadri Hazbiut. Por çfarë ndodhi? Qysh të nesërmen erdhi në Fier urdhri për t’u paraqitur te ministri. Shkova në Tiranë dhe në vend të ministrit më priti Llambi Peçini. Ai më falënderoi për letrën dhe aty për aty thirri pesë shoqëruesit e Beqirit, duke u tërhequr vëmendjen për ato që kishin bërë. Vetëm pesë sekonda ndenjën ata si aktor teatri para Llambi Peçinit dhe u larguan. Sakaq zyrtari i autorizuar nga Kadri Hazbiu, duke u kthyer nga mua më falënderoi për atë që kisha bërë dhe më zgjati dorën për t’u ndarë. Vetëm kaq. Ika atë ditë me një lloj zhgënjimi, po ku mund të shkoja gjetkë... “Feçor Shehu mori dhuratën që miqtë gjermanë ja dërguan Enverit”Në vitin 1972 Shqipëria mori pjesë në Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Mynih të Gjermanisë Perëndimore. Unë isha përzgjedhur nga organet e sigurimit për të qenë pjesë e ekipit shqiptar që do të konkurronte në këto gara. Për mua një shërbim i tillë ishte privilegj jo i zakonshëm. Të dilje me shërbim jashtë shtetit asokohe, ca më tepër në një vend perëndimor, nuk ishte një gjë e vogël. Me sa mbaj mend ma ka dhënë këtë mundësi Isa Dervishi, kryetari i degës, një burrë i ndershëm e shumë i përkushtuar për punën. Kanë qenë të mrekullueshme ditët e garave sportive. Ca më të bukura mbrëmjet kur dilnim në qytet. Të parët që na u afruan gjatë xhirove që bënim ishin disa emigrantë nga Kosova që ishin gjendur aty qysh në vitet ‘60. Njëri ndër ta, Shaban Idri, i cili na priti e na shoqëroi si vëllezër gjatë 30 ditëve që qëndruam aty, një pasdite më thirri në një kafe dhe më tha se kishte bërë një pako dhuratë për Enver Hoxhën dhe kërkonte që unë t’ia çoja dorazi në Tiranë me rastin e ditëlindjes. Fillimisht i premtova pa pikë hezitimi. Pasi u ndava me të dhe shkova në hotel, u lidha me ambasadën tonë në Vjenë, se në Gjermani nuk kishim trup diplomatik, dhe i thashë për ç’ka më kishte thënë Shaban Ibri. Përgjigjja nga njeriu që mbulonte zbulimin në këtë ambasadë ishte negative. Nuk i mbaj mend mirë motivet me të cilat ai justifikonte këtë, por më kujtohet porosia e fundit e tij për t’i thënë Shabanit që pakon për Enverin ta çonte në ambasadë. Të nesërmen kur do të niseshim për në Tiranë, Shaban Ibri erdhi te autobusi. Me vete kishte një pako në kuti kartoni, të ambalazhuar bukur e të mbështjellë me një letër celefoni. Ishte dhurata që kishte përgatitur për ditëlindjen e Enver Hoxhës. Me keqardhje i thashë se duhej ta çonte në ambasadën tonë në Vjenë, ashtu siç më kishte porositur zbuluesi i saj. Sakaq, Shabani u zverdh paksa në fytyrë dhe për mos ta dhënë veten më premtoi se që të nesërmen do ta çonte aty. Dhe në fakt kështu bëri, por me sa jam interesuar më vonë, ajo pako asnjëherë nuk shkoi në dorën e Enverit.Vonë shumë vonë pas kësaj, pikërisht kur ishte arrestuar Feçor Shehu kam mësuar se dhuratën që Shaban Ibri kishte bërë për Enver Hoxhën e kishte marrë tinëzisht Feçor Shehu. Pikërisht në atë periudhë me sa dukej njëri nga punonjësit e ambasadës tonë në Vjenë kishte hapur gojën dhe kishte pohuar për destinacionin e fundit të dhuratës së kosovarit zemërmirë. Teksa Feçor Shehu jepte llogari në gjyq, njëri nga hetuesit e tij, një miku im i hershëm, Enver Zeneli, ndër të tjera më pohoi dhe këtë. Gjithsesi, të tjerat për të cilat duhej të përgjigjej ish-ministri i Brendshëm, ishin shumë herë më të rëndësishme se kjo.