Njohuritë për BE, konkurs me nxënësit e gjimnazeve
• Zgjerimi i njohurive të të rinjve për Bashkimin Evropian dhe Integrimin ka bërë që Ministria e Integrimit dhe ajo e Arsimit të ndërmarrin nismën për organizimin e një konkursi me shkollat e mesme nga i gjithë vendi.ADI SHKEMBINga dita e djeshme deri më 3 maj, 24 shkolla të mesme do të vihen në garë mes tyre lidhur me thithjen e njohurive për mënyrën e funksionimit të familjes evropiane. Duke folur në prag të nisjes së konkursit "Unë dhe Evropa" ministrja Bregu theksoi se "ky aktivitet pritet të sjellë rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve, të cilët do të jenë qytetarët e ardhshëm të Evropës, për rëndësinë që ka procesi i integrimit të Shqipërisë në BE për të ardhmen e tyre, veçanërisht në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë, shanset e jetës dhe vlerat e përbashkëta evropiane". Gjithashtu, ky konkurs do të rrisë nivelin e informacionit të të rinjve për vlerat, historinë dhe proceset e BE-së, me perspektivën që në të ardhmen e afërt të futen më shumë orë për integrimin evropian dhe BE-në në kurrikulat e shkollave. Në fund të fjalës së saj Bregu zbuloi përpara përfaqësuesve të shkollave pjesëmarrëse se "çdo garë ka gjithmonë një fitues. Për skuadrën që do të shpallet fituese e konkursit 'Unë dhe Evropa' është menduar të organizohet një vizitë njëjavore në institucionet e BE-së në Bruksel". Lidhur me këtë konkurs Ministria e Integrimit ka botuar dhe shpërndarë librin "15 Pyetje për Bashkimin Evropian", botim i cili do të shërbejë si tekst bazë për zhvillimin e disa orëve mësimore për integrimin evropian në programin e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, me perspektivën që vitin e ardhshëm shkollor të zhvillohet një lëndë e posaçme për integrimin evropian. Ndërkohë që literatura do të pasurohet me dy tituj të tjerë në dy fazat e fundit: "Evropa në 12 Leksione" dhe "Si punon Bashkimi Evropian". Për të vlerësuar përgjigjet bëhet e ditur se do të ngrihet një juri e cila do të përcaktojë në fund dhe skuadrën fituese të konkursit. Por duket se konkursi është marrë më seriozisht nga gjimnazet e rretheve sesa ato të kryeqytetit. Që në ditën e parë, bie në sy se dy gjimnazet më me emër të Tiranës, "Petro Nini" dhe "Ismail Qemali" janë eliminuar. "Petro Nini" është mundur nga nxënësit e shkollës së mesme "Themistokli Gërmenji" të Korçës me rezultatin 18-34. Ndërsa gjimnazi tjetër përfaqësues i kryeqytetit "Ismail Qemali" është mundur me rezultatin 37-18 nga nxënësit e gjimnazit "Asim Zeneli" të Gjirokastrës. Më 8 mars do të zhvillohen edhe konkurset për 12 gjimnazet e tjera të cilat marrin pjesë në raundin e parë të konkursit.Gjimnazet pjesëmarrëse "Havzi Nela" - Kukës "Janaq Kilica" - Fier "Asim Zeneli" - Gjirokastër "Ismail Qemali" - Tiranë "Dhaskal Todri" - Elbasan "Ali Demi" - Vlorë "Aleksandër Moisiu" - Kavajë "B.D.Karbunara" - Berat "28 Nëntori" - Shkodër "Naim Frashëri" - Durrës "Petro Nini Luarasi" - Tiranë "Themistokli Gërmenji" - Korçë "Partizani" - Tiranë "Nazmi Rushiti" - Dibër "Asim Vokshi" - Tropojë "Raqi Qirinxhi" - Korçë "Hasan Tahsini" - Sarandë "Gjergj Kastrioti" - Durrës "Reshit Çollaku" - Pogradec "Qemal Stafa" - Tiranë "Oso Kuka" - Shkodër "Hydajet Lezha" - Lezhë "18 Tetori" - Lushnjë "Sami Frashëri" - Tiranë