Cana dhe Salihi golat shqiptarë në Evropë
• Arsen Venger është në kërkim të një mesfushori shkatërrues për të zëvendësuar francezin Flamini, por dje të besuarit e tij në “Velodrome” kanë parë se Lorik Cana të cilin po e vëzhgojnë prej kohësh, di të shënojë edhe gola.Mesfushori shqiptar ka realizuar golin e parë të Marsejës në ndeshjen kundër Okserrit e cila përfundoi 2-1, duke u treguar vendimtar për skuadrën e tij. Kapiteni i marsejezëve e dërgoi topin në rrjetë që në minutën e 7-të, duke zhbllokuar rezultatin dhe duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Cana përfitoi nga një pakujdesi e mbrojtjes kundërshtare. Ishte Benua Sheru ai që goditi fuqishëm nga distanca, por portieri kundërshtar grushtoi në mënyrë të gabuar dhe topi mbërriti në këmbët e Canës, i cili me një gjuajtje të fuqishme në hyrje të zonës arriti të shënojë. Cana është cilësuar lojtari i ndeshjes dje nga media franceze, pasi përveçse arriti të shënojë një gol të shkëlqyer, u tregua shpesh herë vendimtar edhe në fazën mbrojtëse. Paraqitja e mrekullueshme e mesfushorit të Kombëtares shqiptare u ka lënë përshtypje shumë të mira agjentëve të Arsenalit, të cilët ndodheshin dje në stadium enkas për të parë mesfushorin shqiptar.Sulmuesi shkodran ka realizuar golin e 11-të sezonal në kampionatin austriak, teksa ka vulosur fitoren e skuadrës së tij Ried, e cila mposhti me rezultatin 3-1 ekipin e Altaçit, një fitore që i shërben skuadrës së sulmuesit shkodran të ngjitet edhe më shumë në renditje, për të synuar vendet që i lejojnë kualifikimin për në Kupat Evropiane. Hamdi Salihi ka shënuar golin e tretë në minutën e 53-të të ndeshjes duke mbyllur praktikisht ndeshjen. 24-vjeçari pati edhe dy raste të tjera në minutat e 61 dhe 66-të, por në të dyja rastet portieri kundërshtar bëri mrekulli duke i pritur gjuajtjet e shqiptarit. Hamdi Salihi ka shënuar 13 gola këtë sezon, 2 prej të cilëve në eliminatoret e Kupës UEFA. Ai është legjionari që ka shënuar më tepër deri tani. Ky ishte goli i 13-të sezonal që Hamdi Salihi ka shënuar këtë sezon me Riedin. Sulmuesi 24- vjeçar, 11 gola i ka realizuar në kampionatin austriak, ndërsa dy në Kupën UEFA.