Braçe: Privatizimet që paralajmëron Berisha, nga mungesa e parave që ka në buxhet

Tiranë, 10 janar, NOA Kryeministri Berisha
me deklaratat e tij se do të shesë pothuaj gjithçka, përveç shkollave,
spitaleve, digave e ndonjë gjëje tjetër të parëndësishme, po shet gjithë pasurinë
kombëtare të krijuar në këtë vend qysh prej vitit 1912, madje duke përfshirë
edhe tokën.
Kështu e ka komentuar në një konferencë për
shtyp deklaratën e bërë dy ditë më parë nga kryeministri Berisha për fazën e
fundit të privatizimeve, deputeti socialist, Erjon Braçe.
Urdhri i fundit i kryeministrit dëshmon për thellimin
e krizës ekonomike në vend dhe përhapjen e gjerë të saj, boshatisjen e pa
precedent të arkës së shtetit, mungesën kronike të parave për funksionet
kushtetuese e administrative të shtetit, si edhe mungesën e parave për
përmbushjen e detyrimeve ligjore për paga e pensione etj, e komentoi deklaratën
e kreut të qeverisë për privatizimet, deputeti Braçe.
Sipas tij, ai paralajmëron për dështimin
përfundimtar të qeverisë Berisha dhe Meta në përballimin e krizës ekonomike, mungesën
e një plani serioz, të qartë dhe të efektshëm, shpëtimi të ekonomisë së vendit,
në rrënim prej krizës dhe vendimmarrjes së tyre të korruptuar si edhe nisjen e
një vale të re grabitjeje të pasurisë publike që nuk shpëton ekonominë e vendit
por pa asnjë mëdyshje do të pasurojë edhe me familjet në pushtet.
PS vlerëson se, të nxjerrësh në shitje gjithë
pasurinë kombëtare të vendit duke përfshirë edhe tokën, në kushtet e krizës
ekonomike, nuk është thjesht mungesë vizioni, por një krim i qëllimtë për të
shitur e blerë më të lirë, nisur nga qëllime korruptive e përfitime të mëdha
personale, në ikje e sipër!, përfundoi deklaratën e tij Braçe.
n.e/NOA