E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Mbështes rezolutën e Ramës, është më racionale

 

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko mbë-shtet publikisht rezolutën e iniciuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke e vlerësuar atë si më racionalen.Në një prononcim për mediat gjatë zhvillimit të punimeve të asamblesë kombëtare të PS-së, Majko tha se: “Në asamble unë përkrah rezolutën e propozuar nga kryetari i partisë. Mendoj që është më racionale dhe ka të bëjë me qëllimin dhe arsyen pse u mblodh mbledhja e sotme e asamblesë. Pra, ka të bëjë me faktin e qëndrimit politik të PS-së karshi procesit zgjedhor dhe zgjedhjeve të 28 qershorit 2008, kurse elementë të tjerë të analizave mendoj se i takojnë kongresit të PS që në një mënyrë apo tjetër do të jetë pjesë e diskutimeve të natyrshme brenda PS-së”. Sipas tij, në mbledhjen e djeshme të asamblesë së socialistëve diskutimet janë zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur debate të ashpra. I pyetur nëse duhet t’i ndërpritet mandati kryetarit të PS-së, pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit, ish-kryeministri Pandeli Majko tha se kjo është arsyeja përse është kërkuar mbledhja e kongresit në fund të muajit gusht. Sipas tij, në zgjedhjen e kryetarit të partisë nuk ka ngërç, por pikërisht ballafaqim të përgjegjësive. “Kam përshtypjen se kjo është arsyeja pse u thirr kjo mbledhje sot dhe kërkesa e kryetarit të partisë për të mbledhur kongresin në një kohë sa më të shpejtë ka të bëjë dhe me arsyetimin përkatës. Pra nuk besoj se ka ngërç apo një histori për t’i rrëshqitur një lloj përgjegjësie, përkundrazi ka një ballafaqim me përgjegjësinë. Mendoj se nuk ka ndonjë lloj vakumi nga ana jonë lidhur me këtë çështje”, tha Majko. Megjithatë sipas tij: “Nxitimi ngandonjëherë dhe nervozizmi bëjnë që historitë sidomos mediatike të marrin një oshilacion nganjëherë jo shumë të pëlqyeshëm”. Anëtari i kryesisë së PS-së, theksoi në të njëjtën kohë se kriza nuk është në kampin e majtë, por në handikapin, siç e quajti ai të bashkëpunimit mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të formuar qeverinë e re. “Kemi një koalicion, i cili për rrethana rastësore është ky që kemi sot pasi politikat zyrtare të shprehura para datës 28 qershor qoftë të PD dhe të LSI kanë qenë të kundërta, le të shikojmë se cila do të jetë historia e kësaj marrëdhënie kaq të rastësishme. Nuk mendoj se kriza aktualisht ndodhet në kampin e majtë. Në qoftë se ka një krizë ende të padeklaruar kemi të bëjmë me handikapin e krijimit të një qeverie, e cila do të ketë brenda të majtët dhe të djathtët”, u shpreh më tej deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›