E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e paralajmëruar e Plutarkut në Drejtorinë Arsimore të Tiranës



Ylvi Tahiraj*

Para 1 viti Ministria e Aarsimit dhe Shkencës ushtroi një kontroll në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës. Ky kontroll ishte përqendruar në disa elementë kryesorë të reformave në arsim. MASH-i u ndesh me një sërë shkeljesh. Pritej që, nëse detyrat e këtij kontrolli do të funksiononin, ndryshimet në arsimin e rrethit do të përputheshin me kërkesat e reformës. Por kontrolli nuk funksionoi. Çfarë e pengoi atë?
Në kohën kur unë me dëshirën e mirë desha të analizoja disa faktorë pengues, po lexoja Plutarkun. Më duket se e gjeta shkakun që krijonte anti-reformë dhe shkakun që nuk i linte të funksiononin detyrat aq të qarta e të sakta të MASH.

Kompleksi i Mbretit
Në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës funksionon kompleksi i mbretit të Plutarkut.
Plutarku në tregimin e tij për një ushtar të ri që i shpëtoi mbretit jetën gjatë një beteje, mban anën e luftëtarit të vjetër që e mësoi ushtarin e ri të arratisej pasi e mësoi këtë ngjarje. Por, ushtari nuk e dëgjoi këshillën e ushtarit të vjetër. Ai qëndroi duke shpresuar se do të përfitonte diçka nga mirënjohja e mbretit. Përkundrazi, mbreti e vrau fshehurazi, sepse ushtari i zbuloi dobësinë, sipas së cilës, edhe ai, i zgjedhur i zotit, mund të vritej në luftë. Përse Plutarku i madh u angazhua në historinë e një ushtari të thjeshtë për ta bërë atë të pavdekshëm në mesazhin që ushtari la?
Mësuesit e rrethit të Tiranës, e pranojnë menjëherë mesazhin. Ai funksionon gjatë punës së tyre. Janë me dhjetëra drejtues shkollash, të cilët, ashtu si mbreti i Plutarkut fshehin paaftësinë e tyre para mësuesve me përvojë dhe sistem pune të mbushur dëng me rigorozitetin, me mësimdhënien, me metodat e mjetet, me marrëdhëniet me nxënësit. Duke qenë përballë këtij fakti, ata fshihen pas mikut e shokut, pas deputetit, pas qeveritarit, duke thënë edhe hapur se kanë miq. Fjala “mik” i paralizon këta mësues të përvojës, i tremb, i bën të heshtur, i bën të mos ngrenë asnjë problem, i bën të mos fuqizohen, por të dobësohen. Nëse është kështu, ndërsa unë them se kështu është, reforma në arsim po mbetet vetëm një fjalëz. Dhe kjo pranohet, sepse nuk funksionon asnjë mekanizëm që përzgjedh drejtuesit e mësuesit; nuk ka asnjë mekanizëm që reforma në arsim të ishte me të vërtetë reformë, e ngopur me të gjitha cilësitë e vetitë e elementit të saj.

Reformat!?
Sipas Plutarkut, që të bëhen ndryshime, duhet ndryshuar raporti mes atij që drejton dhe atij që drejtohet. Shoqëria njerëzore s’mund të kalonte nga mbretëritë në republikë, nëse s’do të kuptonte se kjo e fundit është çështje e të gjithëve, pasi kuptoi se edhe mbreti është njeri dhe si njeri të trajtohet si i barabartë me të gjithë.
Për rastet që kam unë a mund të themi se drejtuesi është trajtuar i barabartë në shumë pika me mësuesit?
Në shkollën 9-vjeçare, në Fushas, mëngjesin e një dite, inspektori i DAR-it prezanton për drejtor të shkollës mësuesin e asaj shkolle me të pakompletuarin në arsim. Ai ishte dhe është me arsim të mesëm jo-pedagogjik. Në sallën e prezantimit ishin të pranishëm edhe mësuesit e tjerë me UT dhe me një përvojë të admirueshme. Mësuesja e gjuhës, matematikës, mësuesi i kimisë dhe historisë janë modele në dhjetëra e qindra mësues të mirë që ka Tirana. Por ja qe u zgjodh për drejtor i pashkolluari.
Në shkollën e mesme Baldushk mëngjesi çon për nëndrejtor një mësues me ciklin fillor, ndërkohë kur ajo është shkollë e mesme. Përsëri në sallën e prezantimit mësues me përvojë ulnin kokën e dëshpërohen.
Mos mendoni se kam vetëm këta dy shembuj. Janë shumë. Janë me dhjetëra, por mendoj se ata që do ta lexojnë këtë shkrim nuk duhet të priren ndaj fakteve, por ndaj problemit.

Anti-vlerat
ǒndodh faktikisht me këta drejtues? Të paaftët, të përkëdhelurit, bëhen shumë autokratë.
Ata kompensojnë vlerat që u mungojnë me arbitraritet, dhunë psikologjike. Përmbajtjen e shkollës e zëvendësojnë me burokraci, me kopsitje të shkresave, të shkruara në të bardhë të atyre që s’bëhen.
Ky paska ardhur drejtor?! Mësuesit shtangen. Ja një tjetër rast. Një koleg ishte mësues me të tjerë mësues të asaj shkolle. Falë lëndës së tij, edukimit fizik, nuk e dinte orën e mësimit. Madje, dy ditë në jave s’e dinte rrugën e shkollës. U kërcënohej në çdo rast kolegëve se do të shikonin kur të bëhej drejtor i DAR-t (Drejtorisë Arsimore). Kishte me vete një marrëveshje partish për tu bërë i tillë. Drejtor i DAR-it nuk u bë, por drejtor shkolle po. Në këtë shkollë, për çdo konflikt i thoshte personit që konfliktohej me të që të largohej vetë nga shkolla se ndryshe do ta largonte ai.
Shkoni në Shkollën 9-vjeçare Gropaj dhe do të shikoni se si është pleksur si në një xhungël autokratizmi, burokracie, shkelja e rregullave e ecjeve financiare, se si kopsitja e shkresave ka dëmtuar përmbajtjen.
Ja dhe një ndodhi tjetër. Ishim në një mbledhje të drejtuesve të shkollave me inspektorë të DAR-it. Një prej tyre i emëruar psikolog në disa shkolla, nuk i pa kurrë ato. Tjetri, i prezantuar nga një truprojë e një pushtetari ka një pushtet absolut. Tregojnë se ai, por këtë e them edhe unë, duke gatuar ca thashetheme në zyrat e DAR-it, si magjistricat e Makbethit, u ka bërë dëm shumë mësuesve. Pa i kontrolluar kurrë ata, propozon në drejtori masa administrative. P.sh largon nga puna një mësues matematike dhe orët e tij ja jep një mësuesi të edukimit fizik. S’janë vetëm ata, por ka edhe të tjerë në situata të ngjashme.

Përtej kompleksit
Por ç’lidhje ka kjo me kompleksin e mbretit të Plutarkut? Ata e dinë se drejtuesit e shkollave që kanë përballë ua dinë dobësitë, ndaj fjalët e tyre i kthejnë në urdhra që i paralizojnë dëgjuesit. Drejtuesit në ato mbledhje janë të frikësuar dhe kur kthehen në shkollat e tyre bëhen të frikshëm.
Arsimi kërkon një reformë urgjente. Por ajo s’mund të bëhet me DAR-in e drejtues shkollash të krijuar me njerëz që nuk kanë shkëlqyer të krahasuar me mësues të aftë që ka rrethi i Tiranës. Vetëm sita e konkursit dhe jo telefonatat e miqve krijojnë atë nivel që do ta vënë në vijë arsimin, në të cilin deri më tani po punohet si në një xhungël.

*Autori i shkrimit është me profesion mësues

Gazeta është e hapur për opinione apo komente rreth mendimeve të shprehura nga autori, të cilat nuk janë qëndrime redaksionale. Gazeta mirëpret opinionet e ekspertëve edhe për problemet që po has realizimi i reformave në arsim

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›