E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Qeveria favorizon pastrimin e parave dhe po takson emigrantët”

Autori i Lajmit: Redaksia
Socialistët kundërshtojnë draftin e ri të Qeverisë për tatimin mbi të ardhura. Deputeti socialist Erjon Braçe pohoi dje se me këtë projektligj Qeveria po rrit taksat e biznesit të vogël për të mbushur buxhetin e boshatisur të shtetit. “I krijon mundësi administratës së kësaj qeverie të taksojë biznesin e vogël veçmas, atë me xhiro mujore 2 deri në 5 milionë lekë sërish me 10%. Nëse paratë që i mbeten pas pagimit të taksave, për qeverinë e Sali Berishës nuk i investon por i mban si e ardhur personale. Pra paqartësia e qëllimtë e ligjit lë mundësinë për taksimin për herë të dytë me 10% të tjera të biznesit të vogël. Kjo për ne është e papranueshme”, - theksoi Braçe. Nga ana tjetër ai nënvizoi se edhe ai nen i ligjit, i cili takson paratë e emigrantëve, favorizon pastrimin e parave, të cilat sipas tij, do të përdoren nga qeveria për të mbushur arkën. “Nga pagimi me 10 për qind, në rastin më të mirë në pengim të investimit të parave të tyre në Shqipëri në rastin më të keq. Qeveria e Sali Berishës po me këtë ligj heq dorë nga lufta ndaj parave të pista, korrupsionit dhe trafiqeve duke hapur një mundësi reale për to, për ti legalizuar, për ti larë, pastruar, tharë, hekurosur e në fund parfumosur, përkundrejt taksës 10 për qind paguar Sali Berishës”, - tha Braçe. Duke cilësuar si të pranueshëm ligjin që takson 4-5 herë biznesin e vogël, PS i kërkoi Qeverisë të tërheqë projektligjin nga Kuvendi, të heqë dorë nga taksimi i shumëfishtë mbi biznesin e vogël, të heqë dorë nga taksimi i parave të emigrantëve dhe të heqë dorë nga mundësia e rrezikshme, krijuar për politikanët e korruptuar dhe mafian, për të pastruar paratë e tyre të ndyra, duke kriminalizuar shoqërinë shqiptare tej e mbanë!”

Ky lajm është publikuar: 27/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›