Legalizim me bono privatizimi edhe jashtë vijës së verdhë
Autori i Lajmit: S. TopiKomisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dhe disa ndryshime në ligjin për legalizimet me anë të bonove të privatizimit. Ndryshimet e bëra në këtë projektligj e zgjerojnë mundësinë e përdorimit të bonove të privatizimit edhe për zonat informale. Kështu në tokat jashtë vijave të verdha ky privatizim do të realizohet 50 për qind në bono privatizimi dhe 50 për qind në lekë. Konkretisht, projektligji parashikon që pronari i ndërtimit pa leje mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore jashtë vijave të verdha. Pagesat që konsistojnë deri në 50 për qind me bono privatizimi të vlerës së ndërtesës janë përkatësisht me sipërfaqe mbi 500m2, 300m2 si dhe 100 m2. Legalizimi është një proces i cili ka ndikim të ndjeshëm në procesin e legalizimeve dhe për këtë arsye ky projektligj është i justifikuar nga pikëpamja ligjore për tu trajtuar me procedurë të përshpejtuar.
Ndryshimi
Komisioni i Ekonomisë ka vendosur dje të heqë kufizimin në përdorimin e bonove të privatizimit për procesin e legalizimeve. Me ndryshimin e miratuar prej tij në ligjin ekzistues bëhet e mundur që bonot e privatizimit të përdoren për legalizimin në masën 50 për qind të banesës informale me sipërfaqe deri në 500 m2 jo vetëm kur ajo ndodhet brenda vijës së verdhë, por edhe jashtë saj. “Ndryshimet konsistojnë në pagesën deri në 50 për qind me bono privatizimi të vlerës së parcelës ndërtimore përkatësisht me sipërfaqe 500 m2, 300 m2 dhe 100 m2 të parashikuara në nenet 19, 20 dhe 21 të ligjit. Mund të paguajnë me bono të privatizimit deri në 50 % të vlerës së parcelës ndërtimore jashtë vijave të verdha”, - tha Isida Koka, specialiste e Ministrisë së Financave. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë kanë argumentuar se ky ndryshim nxit procesin e legalizimit duke ndihmuar shtresat më të varfra. Sipas Sherefedin Shehut, në këtë mënyrë përfitojnë dhe ato grupe, të cilat nuk kishin gjetur mbështetjen e duhur më parë. “Ata që duheshin favorizuar, ne në atë kohë nuk i kemi favorizuar. Pra është njëkohësisht edhe autokritikë që unë të paktën për vete e bëj. Sepse shikoj që ata që kanë pasur tokë mbi 500 metra kanë pasur një të drejtë, e cila në fakt u duhej dhënë më përpara. Unë them që jo vetëm do ta mbështesim, por do të shikojmë edhe mundësinë që ta rregullojmë ku të jetë e mundur”, - tha ai. Edhe kreu i Komisionit të ekonomisë, Edmond Spaho, pohoi se duhet të ndihmohen grupet më vulnerabël të cilët janë pjesë e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Nga ana tjetër, unë mendoj që kjo iniciativë nuk do të ketë fare efekte në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky ndryshim në ligjin e legalizimeve ka efekt prapaveprues ndërkohë që prej tij përfitojnë vetëm familjarët dhe jo bizneset. Mundësia për përdorimin e letrave me vlerë në legalizim ka sjellë një gjallërim të tregut të këmbimit tyre. Bonot e Privatizimt, shiten ditët e fundit me vlerë 22-23 për qind, nga 2-3 për qind që shiteshin për vite me radhë. Kërkesa për to është e lartë, pasi vetëm në Tiranë janë mbi 80 mijë deklarime për ndërtime që kërkojnë të legalizohen.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010