Delegacioni në KE, Meta mbron Topallin
Autori i Lajmit: RedaksiaZëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e konsideron aktin e bllokimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës në Strasburg, nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste, si një përpjekje tejet fëmijërore dhe tërësisht e papërgjegjshme. “Është vërtet për të ardhur keq për këtë përpjekje, do të thosha tepër fëmijërore dhe tërësisht të papërgjegjshme, që po bëjnë disa përfaqësues të Partisë Socialiste për të dëmtuar imazhin e vendit, jo vetëm në Strasburg, por kudo, sikur atje ka pasur ndonjë problem serioz, përveç vetë problemit që ka krijuar me qëllim lidershipi i Partisë Socialiste, që ka të bëjë me bojkotin e pakuptueshëm, të cilin e kanë dënuar të gjithë që nga Strasburgu, Brukseli dhe në të gjithë botën”, - tha ai. Meta doli në mbrojtje të veprimeve të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “Kryetarja e Parlamentit nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka zbatuar kompetencat e saj. Fakti që u konfirmuan sot në mënyrë krejtësisht normale kredencialet e përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar, tregon qartazi se çdo gjë po ecën normalisht, përveç anormalitetit që ka të bëjë me bojkotin, për të cilin vetë lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës”, - tha ai. Për sa i përket nisjes së një përfaqësie të PS-së drejt Brukselit, Meta tha se është e drejtë e tyre që të zhvillojnë takime në të gjithë botën. Por nuk mund të fajësojnë as Kryetaren e Parlamentit, nuk mund të fajësojnë as mazhorancën për një problem që e kanë krijuar vetë ata, sepse nuk kanë bërë betimin dhe nuk duan të shkojnë në Strasburg. Më tej lidhur me procedurat e ndjekura nga Topalli, ai sqaroi se ajo nuk ka shkelur asnjë rregullore, për arsye sepse emri i Islamit, që ka qenë në të kaluarën përfaqësues i Partisë Socialiste, është një emër që është në vijim. “Por jo vetëm kaq, z. Islami është edhe raporter i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Gjeorgjinë, gjë që është shumë pozitive jo vetëm për atë si individ, jo vetëm për Partinë Socialiste, por edhe për Shqipërinë, duke pasur parasysh se raporterët janë shumë të paktët në Këshillin e Evropës”, - tha ai. Lidhur me dëmtimin e procesit të të liberalizmit të vizave nga kjo situatë e krijuar ai tha se Qeveria po i përmbush të gjitha kushtet e përcaktuara në udhërrëfyesin për çështjen e liberalizmit të vizave. Ne dëshirojmë që secili të japë kontributin e tij të shtuar në këtë proces që është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010