Letra e PS-së, reagojnë demokratët
Autori i Lajmit: Redaksia
Partia demokratike ka reaguar ashpër pas publikimit të një letre që Partia Socialiste i ka dërguar Asamblesë të Këshillit të Evropës ku e vinte në dijeni për mungesën e përfaqësuesve të saj në delegacionin shqiptar. “Shqipëria qëndron si një zonjë e vërtetë në Këshillin e Evropës, dhe nuk mund të përfaqësohet as me gojën e shthurur e aq më pak me imazhin e shoqes Arta Dade. Këshilli i Evropës, hodhi poshtë me votë unanime, kërkesën e turpshme e antishqiptare të Edvin Kristaq Ramës dhe pinjollëve të bllokut, për përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm i rëndësishëm evropian”, - tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Ajo shtoi se “pas këtij dështimi të merituar dhe përçmimit të letrës së mbushur kryekëput me trillime dhe mashtrime, të firmosur nga shoqja Arta Dade, Edvin Kristaq Rama sulmon me një gjuhë ordinere të denjë vetëm për shoqen Dade, Kryetaren e Parlamentit dhe e fajëson atë se ajo i njohu shqiptarët me dokumentin e Këshillit të Evropës, i cili e ka gjetur brenda të gjitha procedurave, përbërjen, proporcionalitetin dhe kredencialet e delegacionit shqiptar. “Partia Demokratike, duke e dënuar ashpërsisht gjuhën ordinere, thekson se Shqipëria është në vendin e saj, si një zonjë e vërtetë në Këshillin e Evropës, dhe nuk mund të përfaqësohet as me gojën e shthurur e aq më pak me imazhin e shoqes Arta Dade, por me atë të zonjës dhe gruas së vërtetë shqiptare”, - përfundoi zëdhënësja e selisë blu.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010